Media gjermane “TAG 24” i ka bërë jehonë atentatit të mbrëmshëm në “Don Bosko” ku mbeti e vrarë Mimoza Paja, 58 vjeç dhe 5 persona të tjerë u plagosën.
Mbesa e Mimozës, 10 vjeç gjithashtu mbeti e plagosur nga ciflat e xhamave të lokalit ku ndodhi atentati.
“Të shtënat me armë vranë një 60-vjeçare që shërbente në banakun e një lokali mbrëmjen e së dielës” thuhet në hyrje të artikullit.
”TAG24” shkruan se krimi i organizuar dhe trafiku i drogës janë problemet kryesore në Shqipëri.
“Pesë burra dhe mbesa 10-vjeçare e kamarieres së vdekur u plagosën. Kafeneja është në pronësi të një sipërmarrësi që thuhet se ka lidhje me krimin e organizuar”, vijon artikulli.
“Sipas policisë, sulmi mësohet se kishte në shënjestër pronarin. Megjithatë, ai nuk ishte në lokal në momentin e atentatit. Krimi i organizuar dhe trafiku i drogës janë problemet kryesore në Shqipëri”, përfundon artikulli.
Sulmi mafioz ndodhi në rrugën “Anastas Shundi” në don Bosko rreth orës 20:50 në lokalin në pronësi të Fation Muratit.
Ky i fundit u arrestua në tetor 2022, por dy muaj më vonë Gjykata e la në “arrest shtëpie.”
Pavarësisht kësaj, ditën e djeshme pas kontrollit në shtëpinë e tij policia nuk e ka gjetur Muratin në banesë. Dyshohet se ky i fundit është arratisur dhe është larguar jashtë Shqipërisë.
Kujtojmë se të plagosur mbetën: Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejçuku dhe Genc Shohalli si dhe një vajzë 10-vjeçare./Albeu.com/