Gazetari Flamur Vezaj ka deklaruar se zhdukja e biznesmenit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj është inskenuar. Në një lidhje me Skype në EuroNews, Vezaj tha se Martinaj është një person intrigant, dinak dhe që arrinte të dilte i ‘pastër’ nga çdo ngjarje kriminale në të cilën i lakohej emri.
Ai shtoi se fakti që nuk ka asnjë pamje filmike, trup apo ndonjë provë tjetër, tregon që Martinaj as nuk është rrëmbyer dhe as nuk është vrarë. Vezaj shtoi se zhdukja e inskenuar është e vetmja mënyrë që ai të kthehet për të marrë hak.
“Nuk kemi asnjë provë, asnjë pamje filmike që Ervis Martinaj është rrëmbyer, nuk kemi trup dhe në mungesë të të gjithë këtyre, ne jemi thjesht në aludim se Ervis Martinaj është rrëmbyer. Duke e njohur si ishte, ai ishte shumë dinak, një kontigjent kriminal që dilte i papërlyer në çdo ngjarje që përfshihej. Duke qenë që është prej shumë vitesh, asnjëherë nuk është ekspozuar vetë për të kryer një krim, duke njohur intrigat dhe se çfarë ishte në gjendje të bënte ai, unë mendoj që është inskenim. E vetmja mënyrë që ai mund tu përgjigjet armiqve është që të zhduket njëfarë kohe dhe të lihet i qetë. Nuk kemi prova as për këtë, por duke iu kthyer backgroundit të tij kriminal, unë dyshoj. Ervis Martinajn nuk e gjetën dot armiqtë për vite me radhë, realisht janë grupe kriminale shumë të fuqishme dhe kanë investuar jo pak për gjetjen e tij,”- tha Vezaj ndër të tjera.