Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka miratuar dërgimin e një delegacioni në Katar për të vazhduar negociatat e pengjeve dhe armëpushimit të Gazës, njoftoi zyra e tij të enjten.
Përfaqësues të nivelit profesional nga Agjencia e Sigurisë së Izraelit (ISA), Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe agjencia e inteligjencës së huaj të Izraelit, e njohur si Mossad, do të udhëtojnë në kryeqytetin e Katarit, Doha për bisedimet, thuhet në deklaratë.
Bisedimet indirekte midis Izraelit dhe Hamasit kanë vazhduar edhe pse negociatat zyrtare kanë qenë në bllokim prej muajsh, pasi administrata e presidentit amerikan Joe Biden bëri presion për arritjen e një marrëveshjeje.
Një burim diplomatik i njohur me këtë çështje i tha CNNnë dhjetor se marrëveshja është përgjithësisht e njëjtë me propozimin e paraqitur nga Biden në fillim të vitit 2024.
Faza e parë do të zgjasë gjashtë javë dhe përfshin “tërheqjen e forcave izraelite nga të gjitha zonat e populluara të Gazës” dhe “lirimin e një numri pengjesh, duke përfshirë gra, të moshuar, të plagosur në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë”, tha presidenti amerikan.
“Ajo që ka ndryshuar është se forcat izraelite ka të ngjarë të qëndrojnë në Gaza përkohësisht,” kur të fillojë faza e parë e një marrëveshjeje, tha burimi diplomatik, përkatësisht në brezin e tokës në kufirin Gaza-Egjipt, i quajtur korridori Filadelfi, dhe në një zonë që përgjysmon brezin, e njohur si korridori Netzarim.
Kërkesa e Izraelit që trupat e tij të qëndrojnë përgjatë korridorit të Filadelfit dhe këmbëngulja e Hamasit që ato të tërhiqen ishte një arsye kryesore për kolapsin e bisedimeve në gusht.
Muaj më vonë, në nëntor, Katari njoftoi se kishte ndërprerë rolin e tij si ndërmjetës për armëpushimin për shkak të mungesës së vullnetit të palëve për të arritur një marrëveshje.
Të dyja palët kanë fajësuar tjetrën për ngecjen e bisedimeve javën e kaluar, kur Hamasi tha se Izraeli kishte vendosur “çështje dhe kushte të reja” në kushtet e një marrëveshjeje dhe Netanyahu akuzoi Hamasin për “refuzim të mirëkuptimeve”.
Megjithatë, burime brenda Hamasit dhe Izraelit kanë shprehur optimizëm të kujdesshëm në dhjetor në lidhje me perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje.