Marrëveshja mes Kosovës e Danimarkës për të burgosurit, 300 qeli me qira për 210 milionë euro

Është njëra ndër monarkitë më të vjetra në botë, me një sipërfaqe prej mbi 42 mijë kilometër katrorë, por Mbretëria e Danimarkës nuk po ka vend për të burgosurit.

Të paktën, kjo është njëra ndër arsyet për të cilën Danimarka ka kërkuar nga Kosova 300 qeli burgu me qira, në këmbim të 210 milionë eurove.

Ministri i Drejtësisë në Danimarkë, Nick Hækkerup do të qëndrojë për vizitë në Kosovë të hënën, ku pritet të zyrtarizohet marrëveshja.

Qendra Korrektuese në Gjilan planifikohet tu jepet me qira danezëve, duke qenë se zyrtarë të lartë të institucioneve korrektuese të Danimarkës në tetor të 2020-s kishin vizituar Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe kjo qendër korrektuese ishte preferuar nga ta.

Marrëveshja është për të burgosurit me 10 vite dënim nga gjykatat në Danimarkë, në të cilën nuk përfshihen vepra të terrorizmit dhe të personave me probleme mendore.

Pas nënshkrimit pritet që marrëveshja të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, si edhe të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.

Stafi menaxherial i këtij burgu është bërë e ditur se do të jenë nga Danimarka, derisa oficerët korrektues do të jenë kosovarë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se për këtë marrëveshje ishte biseduar qysh nga qeveria e kaluar, por sipas saj meqenëse nuk ishin respektuar procedurat e Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare, kishte marrë vendim që të kthehet e gjithë çështja në pikën zero, dhe tani kanë arritur një marrëveshje në parim rreth këtyre qelive.

Ish ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i cili ka qenë pjesë e bisedimeve me institucionet e Danimarkës, ka thënë për Telegrafin se arritja e kësaj marrëveshje është një hap i madh.

Por, pse Danimarka po kërkon qeli burgu në Kosovë?

Sipas njoftimit të publikuar nga Ministria e Drejtësisë e Danimarkës, kjo marrëveshje do të jetë për një kohë të caktuar, derisa të përmirësohet gjendja me burgjet në Danimarkë.

Në njoftim thuhet se Danimarka përballet me mungesë të vendeve në burgje, po ashtu edhe me mungesë të punonjësve.

Ky projekt synon të lehtësojë mbipopullimin e burgjeve në Danimarkë dhe të jap mundësi që burgjet atje të zgjerohen me 326 vende gjatë periudhës kohore 2022 dhe 2025.

The Guardian raportoi se numri i të burgosurve në Danimarkë është rritur me 19% që nga viti 2015, duke arritur në më shumë se 4,000 të burgosur në fillim të vitit 2021 dhe duke tejkaluar 100% të kapacitetit, sipas statistikave zyrtare.

Në të njëjtën periudhë, numri i gardianëve ra me 18% në kombin skandinav me 5.8 milionë banorë, ku të burgosurit me më pak se pesë vjet i shërbejnë zakonisht në burgje të hapura.

“Do të na mungojnë deri në 1000 vende në burgjet deri në vitin 2025,” tha në deklaratë ministri i Drejtësisë, Nick Hækkerup i cili pritet që të hënën të vij në Kosovë për të nënshkruar pikërisht këtë marrëveshje për marrjen me qira të qelive të burgut.

Deklarata e Hækkerup të mërkurën e 15 dhjetorit nxiti interesim të madh jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Maryam Alkhawaja ka ngritur dyshime mbi kërkesën e Danimarkës për të marrë me qira qelitë e burgjeve të Kosovës, duke deklaruar se kjo nuk po bëhet për mungesë hapësire në Danimarkë.

Përmes një shkrimi në Twitter, ajo është shprehur se duhet të ketë një arsye pse po bëhet një kërkesë e tillë.

Tutje, Alkhawaja po ashtu ka pyetur nëse do të respektohen ligjet e implementuara në Danimarkë edhe për ata të burgosur të Danimarkës në Kosovë.

“Nuk është shkaku i mungesës së hapësirës në Danimarkë që qeveria dëshiron të marrë me qira hapësirë për 300 të burgosur në Kosovë, pra pyetja që duhet të bëhet është pse? Dhe, nëse do të respektohen rregullat, të drejtat dhe ligjet që implementohen në Danimarkë edhe për ata në Kosovë?”, shkruan Maryam Alkhaëaja në Tëitter.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas raportimeve për një marrëveshje mes Kosovës dhe Danimarkës lidhur me huazimin e 300 qelive në burgjet e Kosovës, marrëveshje kjo që pritet të nënshkruhet të hënën.

KMDLNj në një reagim për media thekson se marrëveshja legalizon diskriminim e të dënuarve në Kosovë.

Të burgosurit të cilët do të vijnë nga Danimarka pritet të vendosen në Qendrën Korrektuese të Gjilanit, megjithatë Ministria e Drejtësisë ende nuk ka vendosur se ku do t’i transferojë të burgosurit e Kosovës që aktualisht gjenden në këtë qendër, transmeton Telegrafi.

Eris Hana nga Ministria e Drejtësisë ka thënë se janë duke punuar me Shërbimin Korrektues të Kosovës, në mënyrë që të gjejnë mënyra efikase për transferimin e të burgosurve.

“Jemi në bashkëpunim të plotë me Shërbimin Korrektues të Kosovës, t’i ndjekim të gjitha procedurat e brendshme dhe të gjejmë mënyrat më efikase për transferimin e tyre në institucionet tjera korrektuese”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.

“Energjia e pastër, është pasioni i danezëve”, thuhet në ueb faqen e këtij vendi, i cili një pjesë të investimeve që janë pjesë e marrëveshjes me Kosovën parashihet ta investojë pikërisht në sektorin e energjisë së ripërtërishme.

Në detaje, ende nuk dihet se ku do të orientohen saktësisht 210 milionët nga kjo marrëveshje, por përveç energjisë së ripërtërishme, disa miliona do të bëhen edhe investime kapitale. /Telegrafi/

 


Shtuar 19.12.2021 14:13