12 emigrantët e parë në Gjadër, Gjykata e Romës: Duhet të kthehen të gjithë në Itali! Burime: Nesër vjen në Shëngjin anija për t’i marrë

Gjykata e Romës ka dalë me një vendim lidhur me 12 emigrantët e parë që u sollën në Gjadër pas marrëveshjes Itali-Shqipëri. Media italiane ‘La Repubblica’ shkruan se gjyqtarët e seksionit të emigracionit në Gjykatën e Romës kanë vendosur se të 12 emigrantët që u sollën në Shqipëri duhet të kthehen në Itali. Dhe kjo, pavarësisht se kërkesat e tyre për azil janë refuzuar nga Komisionet territoriale.

Me vendimin e sotëm, 18 tetor, Gjykata e Romës nuk e konfirmoi ndalimin e të 12 emigrantëve nga Egjipti dhe Bangladeshi, të kapur me 13 tetor nga Guardia di Finanza dhe që u sollën në Gjadër dy ditë më parë, 16 tetor. Sipas La Repubblica, vendimi i Gjykatës së Romës, një zhvillim i brendshëm i shtetit italian, bazohet në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë më 4 tetor për azil kërkuesit e vendeve të pasigurta.

Duke iu referuar edhe Gjykatës Europiane të Drejtësisë, në vendimin e trupës së gjyqtarëve të Romës thuhet se Egjipti dhe Bangladeshi konsiderohen vende të pasigurta dhe për këtë arsye emigrantët duhet të qëndrojnë në Itali dhe jo në kampe, dhe as nuk mund të lihen të lirë në territorin shqiptar.

“Dy vendet nga vijnë emigrantët, Bangladeshi dhe Egjipti, nuk janë të sigurta edhe në dritën e vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, argumentojnë gjyqtarët e Romës. Çka detyron Italinë që ti mbajë ata në qendrat e emigrantëve brenda territorit italian.

Burime për Report Tv thonë se nesër mbërrin një anije e vogël në Shëngjin për të marrë emigrantët dhe për t’i kthyer në Itali.

Ky vendim i gjykatës së Romës është çështje plotësisht italiane dhe nuk ka asnjë lidhje direkte me Shqipërinë përtej faktit që emigrantët u transferuan përkohësisht në qendrat e pritjes në territorin shqiptar, sipas marrëveshjes mes dy vendeve. Kthimi i tyre në Itali është rezultat i vendimeve të autoriteteve gjyqësore italiane, bazuar në vendimin e Gjykatës së Drejtësisë Evropiane.

Sipas marrëveshjes, Shqipëria siguron pritjen e përkohshme të këtyre emigrantëve, në kampin që është nën juridiksionin italian. Asnjë vendim për azilin e tyre nuk merret nga autoritetet shqiptare dhe as nuk kanë kompetencë për të trajtuar çështjet e tyre ligjore.


Shtuar 18.10.2024 15:00