Maqedonia e Veriut renditet ndër të fundit në Evropë lidhur me standardin jetësor të qytetarëve të saj. Edhe të dhënat e fundit të Agjencisë Evropiane të Statistikave – Eurostat tregojnë se Maqedonia e Veriut është vendi i tretë më i varfër në Evropë me 43 për qind të mesatares evropiane të konsumit individual për frymë që mat mirëqenien e familjeve.
Më dobët se ne janë vetëm Shqipëria që është fundit në Evropë në këtë tregues ekonomike me 39 për qind të mesatares së BE-së, përkundrejt 42 për qind në Bosnjë-Hercegovinë. Shteti më i varfër anëtar i BE-së bazuar në konsumin individual është Bullgaria me 61 për qind të mesatares evropiane të konsumit, ndërsa nga shtetet e rajoni Mali i Zi dallohet me 59 për qind, Serbia me 51 për qind, Greqia me 74 për qind, Kroacia me 68 për qind, Sllovenia me 82 për qind.
Edhe në treguesin tjetër ekonomik lidhur me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Maqedonia e Veriut renditet ndër shtetet më të varfra në kontinentin e vjetër. Sipas të dhënave të Eurostat, Maqedonia e Veriut me 38 për qind të mesatares evropiane lidhur me të ardhurat për frymë renditet ndër shtetet më të varfra në Evropë, apo renditet më mirë vetëm se Bosnje e Hercegovina me 33 për qind të të ardhurave mesatare evropiane dhe Shqipërisë që është vendi më i varfër i Evropës, me 30 për qind të ardhurave mesatares të Bashkimit Evropian për frymë.
Nga shtetet e rajonit, Mali i Zi ka 45 për qind, Serbia ka 43 për qind të të ardhurave evropiane, ndërsa Bullgaria me 55 për qind të mesatares evropiane të Produktit të Brendshëm bruto për kokë banori. Të dhënat e Eurostat më tej tregojnë se Luksemburgu me 163 për qind dhe Irlanda me 109 për qind shënojnë nivelin më të lartë të të ardhurave për frymë përkatësisht mbi mesataren e BE-së, ndërsa Bullgaria e ndjekur nga Greqia dhe Kroacia ka PBB për frymë më të ulët në BE në vitin 2020.
Nga ana tjetër analizat e ndryshme tregojnë se rajonit do t’i nevojiten dekada të tëra që të arrijë standardet ekonomike të BE-së me këtë rritje ekonomike aktuale. Studimi i ekonomistit Vlladimir Gligorov nga Instituti ekonomik i Vjenës, tregon se qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të arrijnë standardin evropian nëse në vitet e ardhshme kemi rritje për Prodhimit të Brendshëm Bruto prej katër për qind, ndërsa rritja e PBB-së në BE është dy për qind. Sipas tij për rritjen e ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, kryesorja është përkrahja ndaj kompanive vendore, që nevojitet që të shesin prodhimet e tyre në tregjet e jashtme.
Ai rekomandon edhe investime në projekte inovative, procese tekniko-teknologjike dhe zbatimin e masave aktive për punësim. Investimet e huaj dhe teknologjia janë të mirëseardhura, mirëpo vendi nevojitet të ketë potencialin vetanak të sipërmarrjes, shton ai. Hulumtimi i tij thekson se për vendin në 30 vitet e kaluara, problemet kryesore ishin papunësia që është çështje e përhershme, jostabiliteti dhe eksporti i ulët që mbetet gjeneratori kryesor i zhvillimit, rritjes ekonomike dhe punësimit. /koha.mk/