Viti 2021 përfundoi me protestat e sindikatave me kërkesën që e diela të jetë ditë jo pune. Ndërkaq viti 2022 filloi me një sërë protestash të njëpasnjëshme nga të gjitha sindikatat duke kërkuar paga më të larta për punëtorët, konkretisht harmonizim të pagave për gjithë sektorët pas rritjes së pagës minimale. Ndërkaq, edhe sot e kësaj ditë mësimdhënësit janë në grevë, pas vendimit të SASHK-ut më 11 prill. Sindikata e Policisë së Maqedonisë, ka paralajmëruar protestë për rritjen e pagave duke filluar nga data 26 deri më 29 prill. Edhe Gjyqtarët e Maqedonisë së Veriut kanë paralajmëruar protestë më 28 prill, edhe këta kërkojnë rritje të pagave.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë në dhjetor të 2021 kanë protestuar para Kuvendit dhe para Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut për të shprehur pakënaqësinë nga mos votimi i ligjit që e diela të jetë ditë jo pune dhe kërkuan që paga minimale të jetë 60 përqind e pagës mesatare, ndërsa me atë edhe rritje spirale të të gjitha pagave të tjera, në pajtueshmëri me pagat kolektive.
Viti 2022 filloi me marsh protestues për drejtësi ku familjarët e të ndjerit Rexhail Qerimi marshuan rrugëve të Shkupit bashkë me shumë qytetarë duke kërkuar zbardhjen e rastit të montuar “Allfa”. Rast në të cilin ishte i dënuar edhe Rexhail Qerimi ish ushtar i UÇK-së padrejtësisht me burgim të përjetshëm duke u bazuar dëshmitë e “dëshmitarëve të mbrojtur”. Qerimi në burgun e Idrizovës ndërroi jetë duke kërkuar drejtësi.
Pas kësaj, Organizata “Një mundet” ka organizuar marshin e parë protestues në historinë e Maqedonisë kushtuar nënave vetëushqyese. Ata kanë kërkuar rritje të ndihmës sociale, ndihmës për fëmijë dhe shtesës arsimor për të gjithë fëmijët e familjeve me një prind, si dhe kanë kërkuar që qendrat sociale të veprojnë në përputhje me rregullat ligjore kur vendosin se kujt do t’i përkasë fëmija dhe mbi çfarë baze.
Me protestë para objekteve të njësisë rajonale të Fondit për sigurim shëndetësor (FSSh), mjekët amë nga Velesi kanë shprehur pakënaqësi për gjendjen në kujdesin primar privat shëndetësor. Atyre iu kanë bashkuar edhe dentistët. Ata kanë thënë se në shenjë revolte protestuan të gjithë mjekët privatë në vend, duke mos pranuar pacientë për shfrytëzim të “Termini im”, por vetëm raste urgjente. Ata kërkojnë ndryshimin e vlerës së kapitalit për pacient të paguar nga Fondi.
Në Tetovë qytetarët kanë protestuar kundër hapjes së kazinosë së re e cila po ndërtohet shumë afër çerdhes “Rinia”, në vendnodhjen e ish fabrikës së “Teteksit” dhe e njëjta pritet të jetë me përmasa të mëdha. Nga lëvizja Antibixhoz kanë kërkuar që autoritetet të harmonizojnë qëndrimet dhe të sjellin ligj që do mbrojë qytetarin.
Në Shkup te sheshi “Maqedonia” është protestuar për të dytën herë kundër agresionit rus në Ukrainë. Nga Shoqata e Ukrainase kanë kërkuar hapësira ajrore të mbyllura mbi Ukrainën për të ndalur përshkallëzimin nga pushtimi rus.
Me sloganin “Varfëria ka fytyrë gruaje”, në Shkup është mbajtur marshi i gjashtë për të drejtat e grave me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit.
“Gratë edhe mëtej nuk janë as afër përfshirjes së barabartë në krijimin e politikave dhe masave, si dhe në marrjen e vendimeve që do t’i marrin parasysh nevojat e të gjithë qytetarëve. Aty ku nuk ka kuota, si pushteti ekzekutiv dhe ai lokal, vendimet merren kryesisht nga burrat – vetëm katër gra, kundrejt 17 burrave në qeveri, dy kryetare komunash, kundrejt 79 kryetarëve në pushtetin lokal. Ndryshime duhet të ketë”, kanë thënë organizatorët.
Të punësuarit në administratën shtetërore dhe gjykata kanë protestuar të enjten dhe të premten duke mos punuar nga ora 10 deri në 12, kanë njoftuar nga Sindikata e punëtorëve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve (SPOGJSH). Ata kanë kërkuar pagesën e pagës minimale dhe rritje lineare të pagave të të gjithë punëtorëve për 2.806 denarë.
Në Ditën Botërore të Shëndetësisë më 7 Prill, Shoqata e mjekëve privatë kanë organizuar protestë paqësore para Ministrisë së Shëndetësisë ku kanë paraqitur kërkesat e tyre.
Ndër të tjera kanë kërkuar pikë kapitimi (kuotë financiare) prej 90 denarë, ndryshim të regjimit të barnave dhe vlefshmëri të rekomandimeve për terapi kronike, ndryshim të politikës penale, shëndetësisë elektronike, si dhe ndryshim të buxhetit për specialistët dhe laboratorët.
E gjithë administrata e Gjykatës Penale dhe Gjykatës Themelore Civile kanë protestuar për rritjen e pagave, organizuar nga Sindikata e punëtorëve administrativë, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve (Sindikata e AOGJSH). Revolta është e madhe te të gjithë, pasi janë të pakënaqur me statusin material, të ardhurat mujore dhe të drejtat e tjera, niveli i të cilave është ngrirë prej vitesh.
Përveç administratës gjyqësore, në të njëjtën ditë kanë protestuar edhe punonjës të ministrive, komunave, administratave shtetërore, agjencive dhe fondeve.
Studentët e muzikës në Universitetin e Tetovës kanë protestuar në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të dekanatit të fakultetit të Arteve për shkeljet e profesoreshës Besiana Mehmedi gjatë procesit mësimor, ku dekanati vendosi t’i japë kësaj të fundit vetëm vërejtje me shkrim. Studentët kanë kërkuar largimin e Mehmedit.
Ajo që është pakënaqësia më e madhe e shprehur edhe përmes grevës e cila vazhdon edhe sot e tutje është pakënaqësia e mësimdhënësve.
Greva e Sindikatës për Arsim dhe Kulturë në Maqedoninë e Veriut ka filluar më 11 prill, dhe tani kanë hyrë në javën e dytë që bojkotojnë të punësuarit në arsim dhe çerdhe, duke respektuar vendimin e SASHK që kërkojnë rritjen e pagave, konkretisht harmonizimin me pagat minimale./zhurnal