Maqedonia e Veriut ndërmerr kryesimin me PBEJL

Republika e Maqedonisë së Veriut prej sot e ndërmerr kryesimin me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (PBEJL).

Slogani “Tejkalimi i ndarjeve, ndërtimi i besimit” do të jetë temë udhëheqëse e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me PBEJL-në, ndërsa fokus të veçantë, siç paralajmëruan presidenti Stevo Pendarovski dhe shefi i Diplomacisë, Bujar Osmani, do të vendoset në marrëdhëniet e mira fqinjësore, pajtimin, sigurinë, qëndrueshmërinë, bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimeve euroatlantike.

Presidenti Pendarovski në Samitin e PBEJL-së në Podgoricë, theksoi se shteti është i gatshëm ta kryesojë Procesin për Bashkëpunim në Evropën Juglindore pa dallim të detyrimeve të cilat i ka si kryesues aktual edhe i OSBE-së.

“Gjatë mandatit tonë, ne do të bëjmë përpjekje maksimale që përmes dialogut dhe mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë për të përfituar nga të gjitha mundësitë dhe për të arritur stabilitet dhe prosperitet më të madh rajonal. Sundimi i drejtësisë, promovimi i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe veçanërisht lufta kundër korrupsionit do të jenë ndër prioritetet e agjendës sonë, si dhe siguria energjetike e Evropës Juglindore, korridoret transevropiane dhe shkëmbimi kulturor midis kombeve”, ka thënë Pendarovski.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani vlerëson se vendi ka kapacitet që njëkohësisht të kryesojë edhe me PBEJL-në edhe me OSBE-në.

Osmani, i cili sot do të mbajë konferencë për media me rastin e marrjes së kryesimit të PBEJL-së, vlerëson se Maqedonia e Veriut bëhet kryesuese në kohë të vështira, duke marrë parasysh seriozitetin e luftës në Ukrainë. Është pikërisht lufta në kontinentin evropian, si dhe sfidat e tjera rajonale dhe çështjet e hapura, ato që janë arsyeja e kthimit te vlerat bazë mbi të cilat bazohet PBEJL-ja – marrëdhëniet e mira fqinjësore, stabiliteti, siguria, bashkëpunimi, aspirata për integrim në familjen euroatlantike të kombeve të lira dhe demokratike, thotë Osmani.

Procesi për Bashkëpunim në Evropën Juglindore është formuar në qershor të vitit 1996, me qëllim të thellimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit. Nisma synon krijimin e një rajoni të bazuar në demokraci dhe prosperitet ekonomik dhe integrim të plotë të kësaj pjese të kontinentit në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Maqedonia e Veriut ka qenë e përfshirë në nismë që nga fillimi dhe e ka kryesuar atë në dy raste, 2000-2001 dhe 2012-2013. Përveç Maqedonisë së Veriut, anëtarë janë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Moldavia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia, Kroacia dhe Mali i Zi.

Kryesues i deritanishëm me PBEJL-në ishte Mali i Zi./shenja


Shtuar 1.07.2023 14:56