Maqedonia e Veriut është ndër 10 vendet e para në botë sipas përqindjes sa i përket pirjes së duhanit dhe numrit të përgjithshëm të cigareve të pira në ditë për duhanpirës.
Të dhënat e analitikës tregojnë se përqindja e pirjes së duhanit në vend është 48.4%. Për krahasim në vendet evropiane, përqindja e pirjes së duhanit është shumë më e ulët – mesatarja e BE-së është 29%. Në Suedi është 8.7%, në Greqi dhe Bullgari 27%.
Analytica think tank së bashku me Universitetin e Illinois në Çikago në vitin 2020 kryen një anketë të madhe rajonale mbi konsumin e duhanit në vend dhe rajon. Ky është një nga studimet e para në Maqedoninë e Veriut që ofron informacion gjithëpërfshirës për përdorimin e duhanit, gjegjësisht cigareve.
“Analizat tregojnë se pothuajse gjysma e të rriturve në Republikën e Maqedonisë së Veriut (48,4 për qind) aktualisht pijnë duhan. Përqindja e pirjes së duhanit është 57.9 për qind te meshkujt dhe 39.0 për qind te femrat”, shpjegon Tamara Mijović Spasova nga Analytica.
Ajo shtoi se RMV është lider në rajon për sa i përket konsumit të cigareve me çmimin më të ulët dhe shumë pak po bëhet për tejkalimin e problemit të duhanit, qoftë zgjidhje ligjore, rritje të akcizës apo fushata për ndërgjegjësimin e publikut.
Të dhënat tregojnë se çmimi mesatar i një pakete cigare në Maqedoninë e Veriut është 1.7 euro, në rajonin e Evropës Juglindore është rreth 2.1 euro, ndërsa niveli evropian është 4.9 euro, që konfirmon faktin se është vendi me çmimet më të ulta në rajon.
Taksimi i duhanit është një nga mjetet më efektive për reduktimin e konsumit të duhanit (rritja e akcizës rezulton në një ulje të konsumit të duhanit në të gjitha vendet e EJL) dhe do të rezultojë në një rritje të fortë të të ardhurave publike në buxhet.
Bojana Hristovska nga Analytika shpjegon se vetëm 11,9% e duhanpirësve kanë deklaruar se pirja e duhanit është e ndaluar në shtëpi (nuk pinë duhan në shtëpi), ndërsa 42,9% e jo duhanpirësve nuk pinë duhan në shtëpi. Shkalla më e lartë e ekspozimit ndaj pirjes pasive të duhanit gjendet në bare, klube nate (73.6%) dhe restorante (44.2%)./INA