Maqedonia e Veriut dhe sfidat rreth ndryshimeve kushtetuese

Në Maqedoninë e Veriut, analistët mendojnë se ndryshimet kushtetuese nuk do të realizohen deri në vjeshtë, ashtu siç kërkon Bashkimi Evropian. Për realizimin e këtyre ndryshimeve nevojitet një konsensus politik, përkatësiësht 2 të 3-ta e votave në parlament. Por, partia më e madhe e opozitës, VMRO-DPMNE është shprehur kundër ndryshimeve në Kushtetutë. Ndërkaq, procesi në parlament mund të zvarritet për muaj të tërë, thonë analistët. Seanca e parlamentit është caktuar për këtë të premte.

Ndërkohë që seanca e parlamentit për ndryshimet kushtetuese po afrohet, opozita maqedonase, pa votat e së cilës nuk mund të miratohen ndryshimet – vazhdon të kundërshtojë mbështetjen e rishikimit të kushtetutës në preambulën e së cilës do të përfshihej pakica bullgare dhe katër pakica të tjera.

Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mersim Maksuti thotë se seanca plenare e Parlamentit duhet të mbledhë dy të tretat e ligjvënësve për t’i dhënë dritën jeshile fillimit të debatit për ndryshimet kushtetuese.

Ai shpejgon për Zërin e Amerikës procedura të tjera lidhur me nismën për ndryshimet kushtetese që po bëhen për të përfshirë pakicën bullgare si kusht për vazhdimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian për t’u anëtarësuar.

“Është paraparë sipas procedurës që 10 ditë të zgjasë debati dhe të votohet me 2/3-tat dhe tashmë zyrtarisht të fillojë procedura për ndryshimin e Kushtetuës. Brenda dhjetë ditëve, në qoftë se nuk arrihet koncenzusi, çfarë do të ndodhë me votimin? A do të shtyhet më tej? Këtë situatë rregullorja e punës së kuvendit nuk e parasheh. Me vetë faktin se nuk e parasheh, bindja ime është se votimi mund të zgjasë edhe pas 10 ditëshit, për arsye se procedura zyrtare sipas kushtetutës dhe rregullores së punës fillon që nga momenti kur 2/3-tat e parlamentit ka votuar për fillimin e procedurës. Dhe prej këtij momenti fillojnë afatet kushtetuese dhe juridike për zgjatjen e procedurës së ndryshimit të kushtetutës”, thekson ai.

Analisti Mersel Bilalli nuk sheh sinjale të qarta lidhur me hapat e ardhshëm të VMRO-DPMNE-së në parlament, ndërsa ai problemin e shikon tek funksionimi i brendshëm i partisë.

Zoti Bilalli vlerëson se tek VMRO-ja ka rryma me pikëpamje pro-lindore e pro-ruse por dhe një rrymë pro-perëndimore dhe se trysnitë eventuale nga jashtë dhe realiteti i brendshëm i vendit mund ta detyrojnë partinë të votojë ndryshimet e domosdoshme kushtetuese.

“Kjo parti, në mënyrë objektive, pra në vazhdimësi i ka bllokuar proceset euro-integruese. Në qoftë se kthehemi prapa në vitin 2008 kur ishte Samiti i Bukureshtit për anëtarësim në NATO duhej vetëm një shtesë emrit Republika e Maqedonisë – Shkupi, që të mund vendi të inkuadrohej në NATO dhe me siguri brenda 4-5 viteve edhe në Bashkimin Europian”, thotë analisti.

Zoti Maksuti thekson se qëndrimet e luhatshme të VMRO-së vështirë do të mundësojnë konsensusin politik sa i takon realizimit të ndryshimeve kushtetuese, kur dihet se kjo parti vetëm para një muaji e ca u pajtua të mbështeste këto ndryshime me kusht largimin nga qeveria të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Analistët thonë se qëllimi i vetëm i VMRO-së janë zgjedhjet e parakohshme apo se vendi do të përballej me pasoja serioze në rast të mosarritjes së kushtit të vendosur nga BE-ja:

“Për mua, do të ishte racionale para Vitit të ri të kishim ndryshime kushtetuese, përndryshe besoj që mund të ketë turbulenca serioze në spektrin politik të Maqedonisë”, shprehet z. Bilalli.

“Kam bindjen se VMRO-ja ka si qëllim kryesor që vendin ta çojë në zgjedhje të parakohshme, duke ditur se në terren, tek votuesit ajo gëzon mbështetje më të madhe, me gjasë se do ta marrë edhe pushtetin”, thekson Z. Maksuti.

Ndërkohë, drejtuesi opozitar Hristijan Mickovski akuzon qeverinë se këto ndryshime i bën sipas diktatit bullgar.

“Ndryshimet kushtetuese nën diktatin bullgar dhe mënyra se si propozimi dorëzohet në parlament nuk janë të pranueshme ndërsa teksti i përgatitur nga qeveria është tërësisht i pakuptimtë”, thotë kryetari i VMRO-së.

Ndërkaq, Kryeministri dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Dimitar Kovaçevski shpreson se deputetët do të kenë vizion, virtyte dhe guxim për të marrë vendim që do të thoshte integrim evropian për Maqedoninë e Veriut dhe mirëqenie për qytetarët e vendit.

Shumica parlamentare, llogaritë në mbështetjen e partive opozitare shqiptare, ndërsa lë të kuptohet se i duhen edhe shtatë apo tetë ligjvënës të VMRO-së për të arritur dy të tretat e votave, nga 120 sa ka parlamenti.


Shtuar 16.08.2023 22:13