Maqedonia e Veriut dhe sfidat në vitin 2022

Maqedonia e Veriut ndodhet para një serie sfidash dhe viti 2022 mund të jetë i vështirë për vendin që synon integrimin evropian, por që përballet me krizën energjetike, me pandeminë e koronavirusit, shtrenjtimin e çmimeve dhe me përplasje të vazhdueshme politike.

Nga 1 janari energjia elektrike do të shtrenjtohet me 9.48 përqind, ndërsa kjo do të godasë në veçanti konsumatorët, të cilët gjatë muajve të dimrit e kanë energjinë elekrtike si burim kryesor për ngrohje.

Autoritetet thonë se kanë siguruar funksionimin e termocentraleve prej nga bëhet furnizimi i mbi shtatëdhjetë përqind të vendit me energji elektrike, por mbetet frika se centralet mund të pësojnë avari për shkak të vjetërsisë. Maqedonia e Veriut nuk prodhon sasi të mjaftueshme të qymyrit dhe për këtë pritet të importojë tre milion tonë linjit nga Kosova.

Nga ana tjetër, çmimet që aktualisht po mbahen të ngrira të artikujve kryesorë ushqimorë pritet të ngriten në muajt e parë të vitit të ri.

Qeveria e re që pritet të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski i Lidhgjes Social Demokrate do të miratohet kah mesi i janarit.

Qeveria e re do të vazhdojë përballjen me problemin e vetos bullgare në Bashkimin Evropian lidhur me bisedimet për anëtarësim në bllok; Megjithëse, kryeministri i ri bullgar, Kiril Petkov ka dhënë sinjale për gatishmërinë e zgjidhjes së problemit, kjo vështirë mund të ndodh brenda pak javëve, siç shpresojnë autoritetet në Shkup.

Pakënaqësitë rreth thellimit të krizës ekonomike dhe zvarritja e fillimit të bisedimeve me BE-në e shtyn opozitën të ngul këmbë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, sidomos opozitën maqedonase, e cila korri fitore të thellë në zgjedhjet lokale të tetorit. Ndërkohë që partitë e pushtetit janë kundër zgjedhjeve të reja, opozita e quan qeverinë në dorëheqje dhe atë që pritet të miratohet – si jolegjitime.

Shumica parlamentare që numëron 64 deputetë nga 120 sa ka parlamenti, vlerësohet e brishtë, duke i shtuar kësaj edhe dallimet ideologjike midis partive shqiptare në koalicionin qeverisës, mund ta çojë vendin në zgjedhje të parkohshme, sipas një numri analistësh.

Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë në krye të listës së vendeve jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë për nga shkalla e vdekshmërisë nga koronavirusi, teksa autoritetet nuk kanë ashpërsuar masat as në këtë periudhë kur po përhapet me shpejtësi varianti Omicron në rajon.

Shëndetësia është sfida e radhës e qeverisë së ardhshme. Ballafaqimi me pandeminë ka lënë mënjanë kujdesin ndaj shumë pacientëve me sëmundje kronike, sipas mjekëve dhe kjo gjë duhet ndryshuar. /VOA/


Shtuar 31.12.2021 19:23