Prokuroria Themelore në Gjilan ka autorizuar Policinë e Kosovës që të hetojë çdo dyshim për keqpërdorim të votave gjatë procesit zgjedhor, përfshirë falsifikimin apo ndryshimin e rezultateve në favor ose në dëm të subjekteve politike apo kandidatëve për deputet.
Sipas njoftimit për media, autorizimi është dhënë më 20 janar 2026, ndërsa provat konkrete lidhur me këto dyshime janë pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 2 shkurt 2026.
“Më 3 shkurt 2026, Prokuroria ka autorizuar intervistimin e të dyshuarve, duke filluar nga Komuna e Vitisë, ku pas rinumërimit është vërejtur ndryshim më i madh i rezultateve krahasuar me komunat e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut dhe Parteshit. Intervistimet në këto komuna janë ende në proces”, thuhet në njoftim.
Prokuroria bën të ditur se në territorin e saj nuk ka dallime të theksuara mes rezultateve paraprake dhe atyre pas rinumërimit të votave, duke theksuar se vetëm një kandidat ka rezultuar me 145 vota më pak, ndërsa të gjithë kandidatët e tjerë kanë ndryshime më të vogla.
Hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt deri në intervistimin e të gjithë personave të dyshuar, përveç nëse paraqiten rrethana të reja.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka theksuar se mbetet e përkushtuar që të hetojë dhe të sjellë para drejtësisë çdo person që ka keqpërdorur qoftë edhe një votë, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.
