Një ditë pas mandatimit për kryeministër të Glauk Konjufcës, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar votën e partive të ish-opozitës në Kuvend, siç thonë, për një qeveri kalimtare afatshkurtër për votimin e projektbuxhetit për vitin 2026, si dhe miratimin e fondeve të Bashkimit Evropian.
Mirëpo në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) si dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) thonë se nuk kanë votë për Konjufcën dhe asnjë qeveri të pakicës. Sipas tyre, nuk e kanë asnjë obligim që të votojnë qeverinë e LVV-së pa marrëveshje politike dhe koalicion qeverisës. Madje, vendimin e presidentes Osmani për mandatimin e nënkryetarit të LVV-së për kryeministër më shumë e shohin si zvarritje të qëllimshme për të shtyrë datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Në partinë e Memli Krasniqit të martën kanë thënë se mandatimi i Konjufcës për kryeministër vetëm sa e ka thelluar krizën politike.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dështuar më 26 tetor të formojë qeverinë e re në Kuvend. Ai mori vetëm 56 vota nga 61 të nevojshme për ta formuar ekzekutivin e ri.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, ish-deputeti i legjislaturës së kaluar, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress se pret që partitë e ish-opozitës të rezonojnë arsyeshëm dhe të votojnë kabinetin qeveritar të prezantuar nga Konjufca në Kuvend.
“Ne kemi ofruar një kompromis të madh për opozitën duke mandatuar zotërinë Glauk Konjufca si mandatar për kryeministër, marrë parasysh synimet tona për të shmangur dy elemente: së pari zgjedhjet e menjëhershme parlamentare dhe së dyti të miratohet buxheti për shtetin për vitin e ardhshëm dhe Plani i Rritjes së BE-së… Unë pres që edhe opozita të rezonojë arsyeshëm në këto 15 ditë që i ka zoti Konjufca për ta votuar kabinetin qeveritar. Të votohet qeveria dhe të merren këto vendime… Ne i kemi bërë të qartë se nuk bëhet fjalë për një qeveri afatgjatë, por për një qeveri që do të marrë këto tre-katër vendime që janë në interes të qytetarëve dhe shtetit. Më shumë për të evituar një rrezik real të madh, siç është pamundësia e ekzekutimit të buxhetit për vitin e ardhshëm dhe mos humbja e Planit të Rritjes nga BE-ja. Në situatën e tillë nuk po flasim për një qeveri tipike dhe rrjedhimisht për të diskutuar për koalicione. Ne presim bashkëpunimin me deputetët e opozitës për ta miratuar buxhetin dhe Planin e Rritjes”, thekson ai.
Por kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se nuk kanë votë për Konjufcën dhe se Kosova s’ka nevojë për një qeveri të pakicës.
“Glauk Konjufca, me mandatar të trashëguar në rrethanat e tanishme politike, duke kuptuar qartë dhe saktë vullnetin qytetar, duhet të jetë i sinqertë me veten. Më shumë dhe shumë më shumë sesa kryetari i tij. Të konstatojë se nuk ka shumicë për kryeministër”, tha ai të mërkurën në konferencë për media.
Në anën tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, thotë për KosovaPress se LVV-ja dhe presidentja Osmani, përmes mandatimit të Glauk Konjufcës për kryeministër, po tentojnë vetëm të përfitojnë kohë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Ajo thekson se AAK-ja nuk ka votë për Konjufcën, derisa shton se asnjë parti politike në Kuvend nuk e ka obligim ta votojë atë pa një marrëveshje politike dhe koalicion qeverisës.
“Ne nuk e kemi parë ndonjë ndryshim të qëndrimeve të partive parlamentare pasi janë të njëjtat qëndrime. Në takimin e fundit që kanë pasur te presidentja, dakordanca ka qenë që, meqë ka dështuar LVV-ja dhe asnjë parti nuk i ka votat për formimin e qeverisë, janë dakorduar për të shkuar në zgjedhje. Kjo është një lojë tjetër e LVV-së… Nuk e di se çfarë po tenton të bëjë LVV-ja. Pa një koalicion askush nuk e voton një mandatar kur nuk kanë një marrëveshje politike apo koalicion politik… Në asnjë formë nuk e ka obligim ndonjë parti e cila nuk është në qeverisje dhe as në ndonjë koalicion ta votojë qeverinë e huaj. Ju e dini se edhe ato oferta që iu kanë bërë Nismës dhe LDK-së nuk kanë qenë oferta serioze, por fyese”, thekson Kadrijaj.
Në anën tjetër, hulumtuesi në KDI, Vullnet Bugaqku, thotë për KosovaPress se presidentja Vjosa Osmani ka vepruar drejt kur e ka mandatuar Konjufcën për kryeministër si të propozuarin e dytë të LVV-së për këtë post.
“Presidentja ka pasur para vetes një mandatar të propozuar nga një parti e cila relativisht është fituese e zgjedhjeve në kuptimin e ulëseve që i ka në Kuvend dhe votave që mund t’i sigurojë në Parlamentin e Kosovës. Është e vetmja që ka provuar dhe po tenton të formojë qeverinë, karshi partive të tjera që kanë refuzuar të japin mandatarin dhe kanë refuzuar të bashkëpunojnë mes veti që shtetit t’i japin një qeveri. Gjykata Kushtetuese, në rastin KO20, e bën të qartë detyrimin që ka presidenti i shtetit që të provohen dhe të shterohen të gjitha mundësitë kushtetuese që të formohen institucionet dhe të krijohet mundësia që sa më shumë të shmangen zgjedhjet…Prandaj unë mendoj se ka vepruar drejt në kuptimin kushtetues. Vlerësoj se duhet të shterohen të gjitha mundësitë kushtetuese dhe të plotësohen të gjitha kushtet që i kërkon neni 82 i Kushtetutës që vendi paraprakisht të përfundojë në zgjedhje pasi të dështojë në rundin e dytë”, deklaron ai.
Në bazë të afateve kushtetuese, Konjufca, si mandatar i dytë, ka afat prej 15 ditësh për t’ia prezantuar Kuvendit kabinetin qeveritar.
Që Konjufca të zgjidhet kryeministër, ai duhet të votohet nga së paku 61 deputetë prej 120 sa ka Kuvendi i Kosovës. Nëse as i mandatuari i dytë nuk arrin që të sigurojë votat e nevojshme për të formuar Qeverinë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Sipas Kushtetutës, ato duhet që të mbahen brenda 40 ditësh, nga dështimi i të mandatuarit të dytë për kryeministër.
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe më shumë se tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
