Demokratët duket se do të votojnë pro projekligjit për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut, të propozuar nga maxhoranca.
Sipas burimeve, bëhet me dije se Basha gjatë mbledhjes me kryesinë e Grupit Parlamentar të PD i ka thënë të pranishmëve për të udhëzuar deputetët që të mbështesin çdo hap për drejtësi pa kompromis.
Kryesia e Grupit të PD-së përbëhet nga 4 nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm dhe krerët e komisioneve parlamentare.
Ndërkohë pas këtij takimi pritet të nisë edhe mbledhja me Grupin Parlamentar.
Ditët e fundit janë karakterizuar nga negociata të ethshme të ndërkombëtarëve me Partinë Demokratike dhe atë socialiste, ku secila palë të bëjë lëshimet e nevojshme për të arritur në një konsensus që do të çonte në zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut.
Burime për albeu.com, bëjnë të ditur se lideri i PD-së, Lulzim Basha ka pasur mbrëmjen e djeshme negociata me zyrtarë të lartë të prezencës së BE dhe SHBA në Tiranë, për të votuar pro zgjatjes së “Vettin-gut”.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se Basha parimisht ka deklaruar se nuk do të bëhet pengesë për drejtësinë. Megjithatë gjithçka pritet të vendoset sot në Kuvend. Ndër të tjera, Basha ka theksuar se dy prej prioriteteve kryesore të saj janë reforma territoriale dhe reforma zgjedhore.
Nga ana tjetër situata duket më e qartë në kampin e Berishës, të cilët në daljet e tyre kanë deklaruar votën kundër. Deputeti Edi Paloka shprehu qëndrimin e tij kundër ndonëse nesër nuk do të jetë në Kuvend për të votuar. Madje, ai shkoi edhe më tej duke thënë se nesër do të jetë një tjetër provë se kush është opozita e vërtetë e vendit.
Negociatat para votimit në Kuvend të propozimit të maxhorancës kanë futur në lojë edhe ndërkombëtarët. Sipas burimeve përgjatë ditëve të fundit zyrtarë të lartë të ambasadave të vendeve të perëndimit në Tiranë kanë shkuar në selinë blu për të arritur një unanimitet mes palëve sa i takon këtij procesi.
Si përgjigje ata kanë hasur një kundërshtim në lidhje me këtë çështje pasi demokratët distancohen nga ky votim, duke qenë se propozimi ka ardhur nga socialistët dhe mund të perceptohet në publik si një ujdi e mundshme mes palëve.
Negociatat janë shtrirë edhe në selinë rozë, duke bërë që retorika mes palëve të zbutet gjatë ditëve të fundit ndërsa socialistët duket se kanë lëshuar “pe” nga disa qëndrime të forta në komisionet hetimore përballë kërkesave të demokratëve.
Selitë diplomatike të SHBA, BE, Mbretërisë së Bashkuar apo edhe Gjermanisë në vendin tonë dje iu drejtuan me thirrje të njëpasnjëshme Kuvendit për të ngritur “kartonat” pro zgjatjes së vetting-ut për të krijuar në një farë mënyre edhe bindjen se kjo kërkesë nuk vjen nga socialistët por ka lidhje me fatin e përbashkët të vendit.
Kushtetuta ka parashikuar kur KPK-së i mbaron mandati, puna i kalon KLP-së dhe KLGJ-së. Por nga socialistët është argumentuar se duhet zgjatja e mandatit pasi ky proces i filluar nga ky komision pra vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve, duhet të mbyllet nga po ky komision./albeu.com/