Mandati i Altin Dumanit drejt përfundimit, KLP hap sot garën për kreun e ri të SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) do të hap sot zyrtarisht garën për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Vendimi vjen tre muaj para përfundimit të mandatit të kryeprokurorit aktual, Altin Dumani, i cili e mori detyrën në dhjetor 2022.

Sipas ligjit, drejtuesi i SPAK zgjidhet mes prokurorëve të kësaj strukture për një mandat trevjeçar, pa të drejtë rikandidimi. Procesi i votimit zhvillohet nga 11 anëtarët e KLP-së dhe mjafton shumicë e thjeshtë votash për të përcaktuar fituesin.

Altin Dumani është drejtuesi i dytë i SPAK, pas Arben Krajës, i cili e mbajti këtë post nga krijimi i institucionit në dhjetor 2019 deri në fund të vitit 2022. Pas mbylljes së mandatit, Dumani do të vijojë të ushtrojë funksionin si prokuror i posaçëm, deri në përfundimin e mandatit të tij 9-vjeçar në këtë institucion.