Manastirliu: Drejt rikonstruksionit shkolla “Ismail Qemali” në Shkodër

Shkolla 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë me një projekt modern që do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën arsimore.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në një takim me mësuesit e kësaj shkolle.

“Në prag të çeljes së vitit të ri shkollor, me mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër ndamë lajmin e mirë se kjo shkollë shumë shpejt do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, me një projekt modern, që do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën arsimore të kësaj shkolle me traditë në kryeqendrën e veriut”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Shkolla “Ismali Qemali” është një nga shkollat 9-vjeçare më të mëdha të bashkisë Shkodër me një numër të lartë nxënësish, rreth 850, ndërsa në ambientet e saj është edhe kopshti me mbi 20 fëmijë.

Ndërtesa aktualisht është e amortizuar dhe jashtë standardeve për efikasitet e siguri, me ndriçim te papërshtatshëm e kushte jo të mira të infrastrukturës në katër katet e saj.

Rikonstruksioni i shkollës “Ismail Qemali” synon krijimin e mjediseve të përshtatshme për edukim, arsimim dhe zhvillim të aktiviteteve të ndryshme në shërbim të nxënësve dhe komunitetit.

Përmes zbatimit të këtij projekti do të ketë ndërhyrje në të gjitha ambientet e brendshme e të jashtme të shkollës, përmirësim të kushteve infrastrukturore, që do të ndikojnë pozitivisht në procesin mësimor dhe krijimin e një ambienti të sigurt dhe të këndshëm për të gjithë.

Projekti i rikonstruksionit të shkollës ka për qëllim krijimin e një hapësire funksionale dhe tërheqëse që jo vetëm përmirëson mjedisin arsimor, por edhe kontribuon në forcimin e lidhjeve sociale dhe komunitare përmes krijimit të hapësirave të përshtatshme për edukim dhe aktivitete arsimore, krijimin e klasave moderne ku mund të përshtaten për metoda mësimdhënieje të ndryshme, hapësira për takime komunitare dhe integrim social, etj.

Në kuadër të thirrjes së hapur të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për vitin 2025 bashkia Shkodër ka aplikuar me tetë projekte, prej të cilave është shpallur fituese e katër propozimeve në vlerën rreth 4 milionë euro.


Shtuar 20.08.2025 13:10