Mali i Zi mbajti zgjedhjet, reagon BE: Presim të vazhdojnë të ndjekin politikat europiane

Bashkimi Evropian nuk ka pranuar të komentojë zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Mal të Zi të dielën, derisa misioni vëzhgues zgjedhorë i kësaj institucioni të mos ketë një raport për to.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha po ashtu se blloku evropian nuk do të hyjë në debate apo kalkulime se kush do të duhej të formonte Qeverinë e re në Podgoricë, pasi sipas tij, kjo është çështje e brendshme e Malit të Zi.

“Mali i Zi është një partner shumë i rëndësishëm dhe kandidat [për anëtarësim në BE]. Siç e ka thënë edhe përfaqësuesi i lartë [i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri], Josep Borrell, pas takimit me presidentin [e Malit të Zi, Jakov] Millatoviq, Mali i Zi është shteti më i avancuar kandidat dhe për këtë ne kemi ndjekur me vëmendje zgjedhjet”, tha Stano.

Zgjedhjet në Mal të Zi i ka fituar Lëvizja Evropa Tani, me 26 për qind të votave, pasuar nga partia pro-evropiane Demokratike e Socialistëve me 23.8 për qind të votave. Aleanca konservatore për të Ardhmen e Malit të Zi, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus ka fituar 14.7 për qind të votave. Ndërkaq, koalicion tjetër pro-BE-së që përfshin Partinë Demokratike dhe Lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq, doli në vendin e katërt me 12.3% të votave.

I pyetur se çfarë pasojash do të mund të kishte për Malin e Zi, nëse në ekzekutivin e ri do të ketë parti pro-ruse dhe vendi ndryshon kursin e politikës së jashtme, Stano tha se nuk dëshiron të spekulojë, por pret që Mali i Zi të vazhdojë me përshtatjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

“Të fokusohemi në fakte e jo spekulime se çfarë mund të ndodhë. Ne llogarisim në mbajtjen e kursit dhe kjo nënkupton edhe vazhdimin e përshtatjes së plotë me politikën e jashtme të BE-së. Mali i Zi ka një histori të gjatë të përshtatjes prej 100 për qind me politikën e jashtme të BE-së. Presim që kjo të vazhdojë. E dimë se kjo ka edhe çmim sepse kështu vendi bëhet cak i sulmeve hibride dhe tentimeve për ndërhyrje nga jashtë”, tha Stano.

Ai shtoi se Brukseli pret që Podgorica të vazhdojë të përmbushë kriteret që dalin nga procesi i zgjerimit të BE-së, veçmas në fushën e sundimit të ligjit.

Kreu i Lëvizjes Evropa Tani, Millojko Spajiq, gjatë një fjalimi të dielën mbrëma, tha se partia e tij nuk do të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Lëvizjen Qytetare Ura të Dritan Abazoviq. Ai tha se pret që ekzekutivi i ri i Malit të Zi të formohet sa më shpejt, duke shtuar se “ne do të formojmë një qeveri të re pro-evropiane”. /REL


Shtuar 12.06.2023 17:23