Policia e Shkodrës, ka arrestuar një 31-vjeçar, i cili akuzohet se për 7 vite me radhë trafikoi drejt Italisë sasi të mëdha kanabisi dhe kokaine.
Burime zyrtare nga policia, bënë me dije se pas hekurave, me qëllim ekstradimi, ra shtetasi me inicialet K. U.
Nga hetimet rezultoi se grupi kriminal në të cilin ishte pjesëtar shtetasi K. U., gjatë periudhës 2015-2022, ka trafikuar në Itali, rreth 3.4 tonë cannabis sativa dhe 35 kg kokainë.
Njoftimi i policisë:
“Inteligjencë policore dhe koordinim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Finalizohet operacioni policor i koduar “Jeran”, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe. Pjesëtar i një grupi kriminal që për një periudhë 7-vjeçare, trafikoi në Itali, 3.4 tonë cannabis sativa dhe 35 kg kokainë, arrestohet me qëllim ekstradimin, 31-vjeçari.
Si rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe finalizuan operacionin policor të koduar “Jeran”. Gjatë operacionit u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi K. U., 31 vjeç. Gjykata e Milanos i ka caktuar 31-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në kuadër të grupit kriminal, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë.
Nga hetimet rezultoi se grupi kriminal në të cilin ishte pjesëtar shtetasi K. U., gjatë periudhës 2015-2022, ka trafikuar në Itali, rreth 3.4 tonë cannabis sativa dhe 35 kg kokainë. Gjithashtu, këtij grupi i janë sekuestruar 195 953 euro dhe 1430 franga të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët në Romë, për ekstradimin e këtij shtetasi”.