Makthi i Vladimir Putinit, rreziku i kaosit

Nga Ronald H.Linden “The HilI”

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Një ironi e fortë qëndron në zemër të regjimeve autokratike. Ata nuk e nxisin mendimin ndryshe, punojnë për të shtypur kundërshtarët e tyre, dhe nuk angazhohen të mbajnë zgjedhje vërtet demokratike dhe as të lejojnë lirinë e medias. Megjithatë, mund të rrëzohen në çdo kohë, shpeshherë nga ata që janë më pranë tyre.

Mendoni pak për rastin e Nikita Khrushchev pas dështimit në Krizën e Raketave Kubane. Por historia ruse ofron jep dëshmi të rreziqeve të tjera për regjime të tilla. Pra për makthe që mund të bëhen reale me një shpejtësi të papritur, dhe që prodhojnë shumë dhunë dhe pa asnjë dallim.

Në Rusi, një episod i tillë quhet bezporyadok. Kjo fjalë përkthehet si “çrregullim”, por në kontekstin rus do të thotë një përçarje e dhunshme në shoqërinë tradicionale, përfshirë mbi normat e vjetra të pasivitetit dhe pajtueshmërisë.

Në këtë situatë anarkike, sistemet në dukje të pakundërshtueshme përballen me revolta, trazira dhe atentate ndaj të gjitha formave të autoritetit ekzistues, përfshirë ata që janë në krye. Rusia ka përjetuar kryengritje të tilla në të kaluarën e largët por edhe jo aq të largët.

Gjatë viteve 1773-1775 kozaku Yemelyan Pugachev (një oficer i pakënaqur i ushtrisë) udhëhoqi një rebelim kundër Carinës Katerina II. Në vitet 1670-1671 Stenka Razin bëri të njëjtën gjë kundër Car Aleksit. Më së afërmi në kohë, trazirat fshatare çuan Revolucionin e Parë Rus të vitit 1905, dhe e detyruan Carin Nikolla II të bënte lëshime për një parlament të ri.

Gati 12 vjet më vonë, dinastisë Romanov i erdhi fundi, pasi socialistët shfrytëzuan sulmet mbarëkombëtare ndaj pronarëve të tokave dhe humbjen morale të Luftës së Parë Botërore, për të varrosur 400 vitet e sundimit carist, dhe pak më vonë vetë Carin.

Shumë shpejt, dhe për më shumë se një dekadë, sundimtarët bolshevikë u përballën me trazira fshatare që ishin jo pak sfiduese për regjimin e ri. Frika e elitës ruse nga shpërbërja sociale e vendit, është një shpjegim i mundshëm për marrëveshjen e çuditshme dhe të favorshme që arriti Vladimir Putin me udhëheqësin rebel të mercenarëve Yevgeny Prigozhin.

Moska hoqi akuzat penale për kryengritje kundër Prigozhin dhe njerëzve të tij, dhe vetë Prigozhin u lejua të strehohet në Bjellorusi. Trupat e ushtrisë private të Prigozhin, Grupi Ëagner, mund të rikthehen në bazën e tyre dhe madje të bashkohet me ushtrinë e rregullt nëse bien dakord që të nënshkruajnë kontrata me Ministrinë ruse të Mbrojtjes.

Kjo marrëveshje u arrit vetëm disa orë pasi Putin e akuzoi Prigozhin për “tradhti shtetërore” dhe rrezikim të shkaktimit të një lufte civile. Ai tha se do të merrte masa të ashpra kundër të gjithë atyre që e ndiqnin. Nga ana e tij, Prigozhin pretendoi se ajo që bëri nuk ishte një grusht shteti, por një “marshim për drejtësi” kundër regjimit të korruptuar që po e çonte vendin në katastrofë.

Meqë objektivat e tij kryesore ishin aleatët e ngushtë të Putinit (Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe gjenerali më i lartë i ushtrisë ruse, Valery Gerasimov), ky nuk mund të ishte asgjë tjetër veçse një sulm ndaj vetë presidentit Putin.

Pasi trupat e Ëagner u larguan në Bjellorusi, Putini fajësoi Prigozhin (por edhe Perëndimin) se donte që Rusia të ishte “një shoqëri që shpërbëhej si pasojë e një grindjeje të brendshme të përgjakshme”. Ai ia vuri fajin udhëheqësit të Ëagner, ndërsa justifikoi veprimet e trupave të tij, duke thënë se ata ”gabuan” pasi ishin gënjyer.

Ky është një durim i jashtëzakonshëm nga një regjim që ka burgosur disidentë si Alexei Navalny vetëm sepse kanë folur kundër tij, dhe që ka qenë i implikuar drejtpërdrejt në helmimin dhe vrasjen e kundërshtarëve politikë.

Analogjitë historike janë gjithnjë të papërsosura, dhe vendosja e një udhëheqësi kombëtar në shtratin e një psikiatri, për të spekuluar nëse ka pasur në mendje precedentët e tmerrshëm të vendit, nuk bën ndonjë ndryshim. Megjithatë, asnjë sundimtar rus i kohëve të fundit, nuk ka qenë më i fiksuar pas historisë së vendit të tij apo më i etur për të bërë krahasime sesa Vladimir Putin.

Ai u tërhoq nga këto krahasime për të grumbulluar mbështetje popullore, duke i krahasuar veprimet e Prigozhin me ata që “vodhën” fitoren e Rusisë në Luftën e Parë Botërore në vitin 1917, dhe e kërcënuan vendin me “trazirat më të mëdha”. Në këtë analogji, Putin vendoset në rolin e Carit që e humbi luftën dhe më pas edhe jetën e tij.

Prandaj nuk është e pamundur të imagjinohet që udhëheqësi aktual i Rusisë ishte i tmerruar nga perspektiva e përplasjes së armatosur me Prigozhin në Moskë. Prigozhin dhe trupat e tij ishin në gjendje të lëviznin nga Ukraina përmes Rostovit dhe Voronezhit në Rusi, më shumë se 640 km drejt Moskës në më pak se 2 ditë.

Gjatë kësaj kohe, nuk pati asnjë raportim të vetëm të banorëve vendas që sulmuan apo u përpoqën të pengonin përparimin e autokolonës së armatosur rëndë. Përkundrazi, videot nga Rostovi treguan banorë vendas që brohorisnin, përqafonin dhe bënin foto me njerëzit e Prigozhin.

Kur Gjermania pushtoi Rusinë në vitin 1941, populli rus i dogji shtëpitë dhe të korrat për të dëmtuar pushtuesit. Prigozhin ishte vetëm 2 orë larg nga Moska dhe përveç fluturimeve të dështuara me helikopter nga forcat e regjimit, nuk u ngrit askush tjetër për ta ndaluar. Dështimi i rebelimit mund të duket tani i qartë, por jo për objektivat që ishin vendosur në atë moment. Shumica e analistëve e shohin Putinin si të dëmtuar rëndë nga kjo kryengritje. Skenarët skicojnë një  grusht shteti të brendshëm, ose të paktën një elitë të dobësuar dhe të përçarë.

Edhe pse ky mund të jetë rasti, kërkimi ynë për një shpjegim për nxitimin jo karakteristik të Putinit për ta zgjidhur këtë krizë, mund të marrë në konsideratë faktin që udhëheqësi rus i fiksuar pas historisë i druhej pasojave të bezporyadok.

Shënim:Ronald H.Linden, ish-profesor i shkencave politike në Universitetin e Pitsburgut, ku shërbeu si Drejtor i Qendrës për Studime Ruse dhe Evropës Lindore.

/albeu.com


Shtuar 7.07.2023 12:13