Tentoi të fuste kontrabandë në Shqipëri cigare dhe produkte ushqimore, arrestohet 48-vjeçari në Kapshticë

Policia kufitare e doganës së Kapshticës, ka arrestuar një person, i cili tentoi të fuste kontrabandë në Shqipëri dhjetëra steka cigaresh dhe produkte ushqimore.

Në pranga është vënë shtetasi S. L., 48-vjeç, banues në fshatin Plug, Lushnje, i cili akuzohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra që paguajnë akcizë”.

Njoftimi:

“Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, shërbimet e Policisë Kufitare kaluan në vijë të dytë për kontroll të detajuar një automjet me drejtues shtetasin S. L., 48 vjeç, banues në fshatin Plug, Lushnjë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u konstatuan të fshehura 32 steka me cigare dhe disa produkte ushqimore, të cilat shtetasi S. L. tentonte t’i fuste në Shqipëri pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjin”, – thuhet në njoftim.

Policia raporton se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale mallrat e futura kontrabandë, të fshehura në automjetin që drejtonte 48-vjeçari.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.