Makinat plot emigrantë, arrestohen 4 persona pas aksionit të policisë në Kukës (VIDEO)

Policia e Kukësit ka ushtruar kontroll për goditjen e paligjshmërive. Si rezultat, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar dhe goditur edhe 4 raste të tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në pranga kanë rënë 4 persona: D. A., 29 vjeç, banues në Prishtinë; E. D., 37 vjeç, E. D., 36 vjeç, dhe E.T., 43 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Këta shtetas u kapur nga shërbimet e Policisë, në hyrje të Tunelit të Kalimashit dhe në afërsi të Morinës, në tentativë për t’i kaluar nga kufiri i gjelbër, duke i transportuar me automjetet e tyre, 46 emigrantë të paligjshëm, për t’i kaluar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit të gjelbër, drejt Kosovës, kundrejt fitimit deri në 500 euro për person.

Njoftimi:

Përshëndetje,

Kukës – Vijon operacioni policor i koduar “Morina”.

Në kuadër të këtij operacioni, gjatë 24 orëve të fundit, janë goditur dhe katër raste të tjera të tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shtetasve nga vendet e treta.

Strukturat policore që operojnë në qarkun e Kukësit, në zbatim të planit të masave të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, janë angazhuar maksimalisht duke organizuar shërbime të përbashkëta në terren, mes Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit.

Njëkohësisht, për të përmbushur këtë prioritet, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës po bashkëpunojnë me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, si dhe në kuadër të bashkëpunimit po organizohen shërbime të përbashkëta dhe me Policinë Kufitare të Kosovës.

Si rezultat i punës dhe kontrolleve në terren nga shërbimet e përbashkëta mes Policisë Vendore të DVP Kukës dhe ato Kufitare, në vijim të operacionit policor të koduar ”Morina”, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar dhe goditur edhe 4 raste të tjera të tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, ku si rezultat janë arrestuar shtetasit:

-D. A., 29 vjeç, banues në Prishtinë; E. D., 37 vjeç, E. D., 36 vjeç, dhe E.T., 43 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Këta shtetas janë arrestuar në flagrancë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, në hyrje të Tunelit të Kalimashit dhe në afërsi të Morinës, në tentativë për t’i kaluar nga kufiri i gjelbër, duke i transportuar me automjetet e tyre, 46 emigrantë të paligjshëm, për t’i kaluar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit të gjelbër, drejt Kosovës, kundrejt fitimit deri në 500 euro për person.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjetet që përdoreshin për të transportuar emigrantët, vlera monetare dhe celularë.

Gjatë muajit nëntor 2021, janë goditur 17 raste të kësaj veprimtarie kriminale, ku janë arrestuar 16 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 2 të tjerë.

Janë bllokuar 93 shtetas nga vendet e treta, kryesisht nga Siria.

Bazuar dhe në analizën e riskut të bërë gjatë javës së fundit, ku ka rezultuar se personat që tentojnë të kryejnë këtë veprimtari kriminale, po përdorin rrugëkalime të reja me qëllim shmangien e kontrolleve të Policisë në akset nacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës, ka organizuar shërbime investigative dhe patrullime, duke përdorur kamerat dhe dylbitë për ditën dhe natën, si dhe kanë instaluar në rrugëkalimet e reja, pajisje speciale që i janë dhuruar Policisë së Shtetit nga policitë partnere, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Njëkohësisht po bashkëpunohet edhe me Njësinë e Policisë Rrugore për sigurinë e autostradës Milot – Morinë, për të bllokuar mjetet paraprijëse që kontrollojnë rrugën me qëllim shmangien e kontrolleve policore apo të atyre mjeteve që tentojnë të ndryshojnë drejtim kur konstatojnë shërbimet e Policisë në pika kontrolli, në aksin rrugor Kukës – Kalimash.

Sigurojmë qytetarët e qarkut Kukës se strukturat policore që operojnë në këtë qark janë tërësisht të angazhuara dhe të fokusuara për të parandaluar dhe goditur çdo paligjshmëri në territor, me qëllim rritjen e parametrave të rendit e sigurisë dhe në këtë kuadër ftojmë qytetarët e qarkut Kukës, të bashkëpunojnë më shumë me Policinë dhe të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe profesional nga ana e Policisë./albeu.com