Ditën e sotme, qyteti i Durrësit, është përfshirë nga reshje intensive shiu, të cilat kanë sjellë probleme të shumta në disa zona të territorit të bashkisë.
Si pasojë e përmbytjeve, qarkullimi është vështirësuar për banorët të cilët kanë gjetur një zgjidhje alternative, përmes lundrimit në ujë.
Dhjetëra makina janë përmbytur në rrugë, ndërsa lëvizja në këmbë është e pamundur. Një qytetar a përdorur një dërrasë sërfi.
Gjithashtu, në pamundësi të lëvizjes së prindërve, fëmijëve dhe nxënësve, mësimi është pezulluar në disa çerdhe e kopshte përkatësisht në kopshtet “Sotir Noka”, “Met Hasa”, “Neim Babameto”, “Durrësi i Ri”, “Fidanishtja”, çerdhja nr.1 dhe konvikti “Beqir Çela”.
Po kështu, procesi mësimor është pezulluar në të gjitha shkollat. Në kodrën e Currilave, janë evidentuar rrëshqitje dheu, ndërsa disa akse rrugore janë bërë të pakalueshme për shkak të reshjeve të dendura.
Rrugët problematike janë: “Mujo Ulqinaku”, “Hysen Myshketa”, “Marta Buda”, “Jahja Ballhysa”, “Kristo Sotiri”, “Glaukia”, “Vaso Pasha”,“Jeta Re”, “Vllazërimi”, “Jezerca”, “Azem Hajdari”, “Mbreti Pirro” dhe rruga “Enkelejve”
Këto rrugë ndodhen në lagjet nr. 12, 13, 14, 17 dhe 18.
Gjithashtu, ka bllokime të qarkullimit nga zona e Mauzoleumit të Dëshmorëve deri në zonën e Durrësit të Ri.
Situatë problematike paraqitet në njësinë administrative Rrashbull si dhe në Manzë, ku ura e fshatit Borç rrezikon shembjen për shkak të prurjeve të mëdha të ujit.
