Policia e Fushë-Krujës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me atentatin mafioz që ndodhi këtë të martë në zonën e Rinasit, ku viktimë mbeti miku i Emiljano Shullazit, Gilmando Dani, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur. Blutë bëjnë me dije se në automjetin që u shkrumbua në Krujë policia ka gjetur katër armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët. Ndërkohë, armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore.
Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, në fshatin Halil, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Toyota”, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur në Rinas. Në automjet janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.
Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.



