Magazina me lëndë narkotike, zbardhet dëshmia e drejtorit të burgut të Rrogozhinës: Prona menaxhohej nga vëllai im

Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me ndalimin e drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, në banesën e të cilit një ditë më parë policia gjeti dhe sekuestroi katër mijë rrënjë kanabis.

Bëhet me dije se në dëshminë e tij, Bilal Hasa, pohonte se ambienti në fjalë përdorej nga vëllai i tij, Romario Hasa, i cili është shpallur në kërkim.

“Magazinat i administronte vëllai im, Romario”, mësohet të jetë shprehur Hasa, variant që e konfirmoi dhe babai i tij, i cili tha se kontratën e përdorimit e kishte djali tjetër.

Gjithashtu, Hasa paraqiti këtë kontratë që rezultonte në emër të Romario Hasës. Ndërkohë gjatë qëndrimit në polici Bilal Hasa dhe i ati u përgjuan ku i referohej të vëllait, duke thënë: “na shkatërroi!”.

Kujtojmë se pas dëshmisë së dhënë në polici dhe hetimeve, Bilal Hasa është liruar nga paraburgimi. Sakaq, Policia arrestoi edhe faturistin e OSHEE, Erion Dekovelli, i cili akuzohet se nuk informoi për energjinë e konsumuar.

Ky i fundit ka deklaruar se kontratat i ka lidhur me Romario Hasën. Sakaq, u shpallën në kërkim dhe dy zyrtarë të OSHEE në Peqin, Ervis Maçi dhe Denis Elezi.


Shtuar 20.03.2026 13:26