Emmanuel Macron i kërkoi Izraelit të ndalojë bombardimet që vrasin civilët në Gaza në një intervistë me BBC të transmetuar të premten.
“Ne ndajmë dhimbjen dhe ndajmë vullnetin për të hequr qafe terrorizmin, pasi ne e dimë se çfarë do të thotë terrorizëm në Francë. Por, “de fakto” sot, janë civilët ata që bombardohen. Foshnjat, gratë, pleqtë bombardohen dhe vriten. Dhe për këtë nuk ka justifikim. Për këtë arsye ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalojë”, tha ai.
Ministria e Shëndetësisë e Hamasit njoftoi se 11,078 njerëz, përfshirë 4,506 fëmijë, janë vrarë në bombardimet izraelite në Rripin e Gazës që nga shpërthimi i luftës më 7 tetor, i shkaktuar nga sulmi i paprecedentë i lëvizjes islamike palestineze në territorin izraelit.
“Reagimi në kuadër të luftës kundër terrorizmit, sepse kryhet nga një demokraci, duhet të jetë në përputhje me rregullat ndërkombëtare të luftës dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare”, u shpreh presidenti i Francës.
I pyetur nëse e drejta ndërkombëtare po shkelet nga Izraeli, Emmanuel Macron u përgjigj se ai “nuk është gjykatës”, por “kre shteti”.
Ai tha gjithashtu se ishte i shqetësuar se “bombardimet masive” të Rripit të Gazës po shkaktonin ” neveri dhe ndjenja të këqija” në rajon.
Macron e dha intervistën një ditë pas një “konference humanitare” të organizuar të enjten në Paris me iniciativën e qeverisë së tij, gjatë së cilës ai bëri thirrje për një armëpushim.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi ndaj deklaratave të zotit Macron duke theksuar se “përgjegjësia për çdo dëm të pësuar nga civilët është e Hamasit”.
Nga ana izraelite, të paktën 1200 njerëz u vranë, sipas një raporti të rishikuar në rënie nga autoritetet izraelite, shumica prej tyre civilë, në ditën e sulmit nga Hamasi, të cilin Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e etiketojnë si “organizatë terroriste”.
I pyetur nëse do të dëshironte të shihte liderë të tjerë, veçanërisht presidentin amerikan Joe Biden dhe kryeministrin britanik Richie Sunak, që të bënin thirrje për një armëpushim, presidenti francez tha se “shpreson që ta bëjnë”.