Macron frenon zgjerimin e BE-së, Shqipëria dhe Mali i Zi mes vendeve të prekuara

Presidenti francez Emmanuel Macron ka marrë një qëndrim të kujdesshëm ndaj procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, duke përfshirë mundësinë e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Sipas një artikulli të botuar nga revista Politico Europe, Macron po përdor çështjen e zgjerimit si element të politikës së brendshme, ndërkohë që i afrohen zgjedhjet dhe rritet ndikimi i ekstremit të djathtë.

Në tekst theksohet se frika nga përparimi i partisë së ekstremit të djathtë në Francë dhe nga protesta si ajo e fermerëve kanë bërë që Elysée të rishikojë përkrahjen e tij publike për vendet e Ballkanit Perëndimor. Macron është cituar duke shprehur shqetësimin se çdo diskutim për anëtarësimin e Shqipërisë apo Malit të Zi do të përbënte një “dhuratë” për kundërshtaren e tij, Marine Le Pen.
Ky qëndrim shënon një kthesë të qartë: Macron, dikur i pozicionuar si vizionari i integrimit europian të Ballkanit, tani kërkon reforma të thella të procesit të anëtarësimit para përthithjes së vendeve të reja.

Për Shqipërinë dhe Malin e Z i kjo përbën një pengesë strategjike në rrugën drejt BE-së. Një pjesë e diplomatëve europianë shprehen se qëndrimi i Francës vjen si rezultat i kombinimit të politikës së brendshme dhe të dinamikave europiane. Sidoqoftë, Macron vazhdon të flasë për rëndësinë strategjike të Ballkanit, por kërkon që struktura europiane të reformohet përpara zgjerimit.


Shtuar 23.10.2025 13:27

Tags: ,