Pothuajse dy dekada pasi trafikantët e parë shqiptarë u shfaqën në skenë, grupet kriminale shqiptare kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të rrjeteve të kokainës me shumicë dhe pakicë në Europë. Duke përdorur rrjetet e bandave në rrugë ata tregtojnë drogë në Holandë, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Francë dhe Gjermani.
Në vitet e fundit, fuqia dhe ndikimi i tyre ka shkuar deri në Amerikën e Jugut, në Ekuador, ku mafia shqiptare ka lënë një gjurmë gjaku rreth qytetit-port të Guayaquil.
Midis vendeve prodhuese të kokainës, Perusë dhe Kolumbisë, Ekuadori shërben si një tubacion i madh droge për në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, e ndryshe nga vendet fqinje, Ekuadori nuk ka mafia të drogës në vendlindje. Aty ka banda, por u mungon sofistikimi i nevojshëm për të operuar rrjetet e trafikimit shumëkombësh.
Bandat, megjithatë, janë treguar të dobishme për trafikantët ndërkombëtarë, mes tyre dhe shqiptarët, që kërkojnë një pjesë të tortës.
Një reportazh special i A2 CNN nga vendi ku shqiptarët janë bërë protagonistë të tregtisë së kokainës.
Nga Jul Kasapi
Prej të paktën 5 vitesh, mes Shqipërisë dhe Ekuadorit ekziston një linjë e konsoliduar e trafikut të drogës. Kapja e sasisë rekord prej 613 kilogramë kokaine në Durrës pak kohë më parë vetëm sa nxori në pah fuqinë e grupeve kriminale që qëndrojnë pas ngarkesave të tilla me vlerë dhjetëra milionë euro.
Nga eksportues të kanabisit, tashmë grupet kriminale shqiptare kanë arritur të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me grosistët e Amerikës Latine, duke u kthyer në një furnizues për vende të Bashkimit Europian. Vëmendje e vogël i kushtohet Ekuadorit, ndonëse shkalla e vrasjeve është e lartë këtu.
Nuk ka kartele droge si ato që kanë dominuar peizazhin kriminal në Meksikë dhe Kolumbi. Megjithatë, Ekuadori është një nga autostradat e kokainës në botë. Kështu i pëlqen tregtisë ndërkombëtare të drogës, një profil i ulët, mundësi kjo që po shfrytëzohet më së miri nga grupet shqiptare.
Shqiptarët e parë në Amerikën e Jugut datojnë që në vitin 2006. Të dhënat flasin se shumica prej tyre shkelnin si emigrantë që kërkonin të shkonin drejt Shteteve të Bashkuara, por me kalimin e viteve situata ndryshoi.
Më shumë se 500 shqiptarë të regjistruar zyrtarisht jetojnë prej 10 vitesh në Ekuador dhe i vetmi ndryshim me 15 vite më parë është se tashmë nuk kërkojnë të shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara, por të punojnë në Ekuador. Puna kryesore është trafiku i kokainës.
Edhe pse në tregun e konsumatorëve Shqipëria zë një vend modest, kur bëhet fjalë për drogat e forta emri i saj arrin deri në Amerikën Jugut. Nëse pak kohë më parë, specialiteti me të cilin krenoheshin në të gjithë botën ishte hashashi, në vitet e fundit është kokaina.
Një rrjet i tërë grupesh kriminale kanë arritur të vendosin hallkën e munguar në zinxhirin e trafikut ndërkombëtar të drogës, lidhjen me grupet vendase deri te kartelet e Kolumbisë e Perusë me të njëjtin qëllim: Furnizimin e Kontinentit të Vjetër me pluhurin e bardhë.
Banane, mish, goma automjetesh, nëndetëse, kontejnerë e me dhjetëra forma të tjera për të trafikuar kokainë janë zbuluar në Amerikën e Jugut. Në Shqipëri, Porti i Durrësit është pika fundore, por njëkohësisht edhe pikënisja. Pika fundore e mbërritjes nga Amerika Jugore dhe pikënisja për në destinacione të tjera evropiane.
Përse Ekuadori?
Porti i Durrësit është kthyer në një linjë fikse të tonelatave të kokainës nga Amerika Latine më konkretisht nga Ekuadori. Por përse Ekuadori? Nëse më parë grupet shqiptare kishin arritur të krijonin lidhje në Kolumbi, përse një shtet kufitar jo prodhues? Roli i Ekuadorit në tregtinë e drogës daton që nga vitet 1980, kur ajo ishte një rrugë transiti për bazën e përpunimit të kokës peruane që trafikohej në Kolumbi, dhe shtëpia e rrjeteve të trafikut të lëndëve të para kimike që furnizonin laboratorët kolumbianë që e përpunonin atë në kokainë.
Vetëm në fillim të shekullit XX, fqinjët e qetë të Kolumbisë u shfaqën si një gur themeli i zinxhirit ndërkombëtar të furnizimit me kokainë. Diçka e tillë filloi me ndryshimin e valutës vendase në dollarë, e cila menjëherë e bëri Ekuadorin ëndrrën e pastrimit të parave, një shtet në kufi me prodhuesin më të madh të kokainës në botë që përdor monedhën e tregut më të madh të kokainës në botë. Por le ta nisim pikërisht nga vendi ku nisen ngarkesat më të mëdha të drogës, Guayaquil (shqiptohet Guajakil).
Guayaquil është qyteti më i madh në Ekuador me një popullsi prej më shumë se 3 milionë banorë. Ai është gjithashtu porti kryesor i vendit. Në vitin 1979, u hap Porti Maritim, 10 km në rrjedhën e poshtme të kufijve të qytetit, port i cili simbolizon daljen në oqean të Ekuadorit duke trajtuar rreth 90% të importeve të vendit dhe 50% të eksporteve të tij.
Por a mund të flasim për praninë e grupeve kriminale shqiptare të cilat veprojnë në Ekuador? Vendi shpejt u shfaq tërheqës për shqiptarët, Ekuadori ka kufij porozë, institucione të dobëta të zbatimit të ligjit, si dhe praninë e disa pikave portuale drejt Paqësorit e Atlantikut që u pa si mundësi e artë në trafikun e kokainës.
Grupet kriminale në Guayaquil kujdesen për gjithçka, që nga plantacionet me banane, deri te nisja e tyre në rrugë detare mes kontejner-mbajtëseve për në port. Në mjaft raste ngarkimi i kokainës bëhet brenda plantacioneve të bananeve, të njëjtën skemë përdorte dhe Arbër Çekaj.
Bananet janë kthyer në atraksionin kryesor të narkotrafikantëve shqiptarë për të eksportuar drogë nga Ekuadori drejt vendeve të Bashkimit Europian. Vetëm pak kilometra larg nga Guayaquil ka me mijëra hektarë plantacione bananesh ndërkohë që narkotrafikantët janë të lidhur kryesisht edhe me bizneset private të këtyre zonave për të bërë të mundur paketimin e kokainës që në origjinë.
Lidhja me zonat përpunuese të bananeve kafesë, por edhe çdo produkti tjetër është Amazona. Pasi kontejner-mbajtëset drejtohen për në port, grupet kriminale përdorin një nga zonat më të rrezikshme të qytetit për të bërë të mundur futjen e kokainës në kontejnerë.
Jemi zhvendosur në një automjet policie në Guayaquil, ku po vizitojmë disa nga zonat më të rrezikshme fare pranë portit të qytetit. Shumica e banorëve të këtyre lagjeve janë punëtorë të kokainës, pasi ata jetojnë fare pranë portit dhe punojnë për ngarkimin dhe shkarkimin e bananeve, një pjesë e të cilave mbushet dhe me kokainë, ndaj dhe qëndrimi ynë në këtë zonë është i detyruar të shoqërohet me automjete të policisë, por dhe me motorë të cilët ndodhen pas nesh, pasi zona konsiderohet mjaft e rrezikshme për turistët.
“Kjo është zona jugore, kjo është zona periferike e Guayaquil, pjesa jugore. Siç e patë ka shumë varfëri dhe mbi të gjitha ka degëzime dhe grykëderdhje në oqean ku do të kalojmë tani dhe do të shihni si bëhet trafiku i drogës dhe konsumi i saj, duke qenë se është shumë evidente. Ju mund të shihni persona të droguar në rrugë në një mënyrë të hapur. Kjo zonë konsiderohet me rrezikshmëri të lartë në Guayaquil. Për këtë arsye, ne shoqërohemi nga dy efektivë në motor, në mënyrë që nëse ndodh një situatë e rrezikshme, ata të mund të reagojnë menjëherë. Ky sektor njihet si porti Licita, është e zonë e njohur sepse ka shumë trafik narkotikësh. Ka persona këtu të cilët transportojnë kokainën deri te portet Habaneros që të ngarkojnë kontejnerët me lëndë narkotike”, thotë për A2 CNN efektivi i policisë, Christian Xavier.
Jemi në zonën e njohur si Los Esteros, të paktën nga komunikimi me policinë, dhe kjo njihet si një prej zonave më të rrezikshme, aty ku bëhet dhe ngarkimi i kokainës në të gjithë kontejnerët e bananeve. Të gjitha këto barka përdoren nga trafikantët për të bërë të mundur ngarkimin e kontejnerëve të cilët janë kryesisht me banane dhe për të fshehur aty drogën. Të gjitha këto barka përdoren për të transportuar drogën e cila futet në kontejnerët me banane të cilat më pas shkojnë drejt portit të Guayaquil.
“Janë degëzime të detit, grykëderdhje të cilat përfundojnë në oqean, në pjesën portuale të Guayaquil. Këtu ka një port kryesor që quhet porti Guasmo Sur. Dihet që nga këto kanale transportohet droga haptazi që ta fshehin në kontejnerët e ngarkuar, e më pas anijet shkojnë në shtete të tjera”, thotë Xavier.
Pjesa më e madhe e narkotrafikantëve, mes tyre dhe shqiptarë, bëjnë të mundur pagesën e banorëve të kësaj zone, të njohur si Guasmo Sur. Më pas, ata bëjnë të mundur transportimin e kokainës nëpërmjet këtyre barkave dhe më pas futjen e tyre nëpër kontejnerë me banane që shkojnë drejtpërsëdrejti në port dhe më pas nisen drejt vendeve të Bashkimit Europian.
“Po arrijmë në një sektor që quhet “Punta Recha” që në terma të gjuhës së vendasve do të thotë një pikë e nxehtë, e rrezikut të lartë, e populluar kryesisht nga afro-ekuadorianë. E njohur me këtë emër sepse këtu jetojnë dhe kanë jetuar shumë vrasës me pagesë të cilët kanë kryer akte të dhunshme kriminale, grabitje personash, vjedhje makinash dhe vepra shumta”, na tregon Xavier.
“Kjo pjesë e jugut të Guayaquil është e rrezikshme në totalitetin e saj. Por në pikat ku ne vizituam që ju jeni të vetëdijshëm janë pikat më të nxehta, të rrezikut më të lartë ku dihet se ka persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Situatat e paligjshme si trafiku dhe kokaina vijnë kryesisht në këto pika që të mund të transferohen në magazinat e portit e më pas të fshihen në kontejnerë të cilat transportohen në shtete të tjera. Çfarë tjetër mund t’ju tregoj për sektorin. Këtu ka një luftë për territorin, për zotërimin e tij sepse dihet që ka grupime kriminale që mbështeten nga ky territor duke qenë se kjo është dalja e drogës për jashtë vendit në mënyrën më të thjeshtë. U intereson që të mbajnë nën kontroll këtë territor që të mund të transportojnë. Në këtë mënyrë mund të pasurohen dhe të përfitojnë nga këto akte të paligjshme”.
Shqiptarët, pjesë e luftës për kontrollin e territorit
A2 CNN: Major, ne vizituam disa zona të rrezikshme pranë portit, si punojnë grupet kriminale në këto zona?
Major Luis Edmudo: Përshëndetje! Unë jam shefi i policisë Luis Edmundo Ruiz, jam shefi i operacioneve të rrethit të jugut, rrethi metropolitan i Guayaquil, i policisë kombëtare të Ekuadorit. Në emër të policisë kombëtare ne realizojmë operacione policore me qëllimin për të parandaluar të gjitha aktet kriminale që kryhen në territorin tonë. Sidomos këtu në zonën jugore që nga fillimi i vitit kemi deri më sot afërsisht 50 vrasje të dhunshme. Është një numër që po mundohemi të reduktojmë, ndërkohë që edhe operacionet tona me personelin tonë zhvillohen. Organizatat kriminale këtu zhvillojnë aktivitetin e tyre duke qenë se këtu ka një dalje në oqean. Kjo shfrytëzohet nga organizatat kriminale duke qenë se afër është dhe porti i Guayaquil, porti më i madh i Ekuadorit nën mbikëqyrjen tonë. Organizatat e narkotrafikantëve operojnë nëpërmjet këtyre vijave moçalore duke infektuar anijet që çojnë produkte të ndryshme jashtë vendit.
Bashkëpunimi ynë me Drejtorinë Kombëtare të Antidrogës dhe me Agjencinë e Inteligjencës e të Investigimeve kanë arritur të ndalojnë organizata dhe struktura me sasi të mëdha droge, siç ishte viti i kaluar, me numrin më të madh të konfiskimeve të drogës në nivel kombëtar në 10 vitet e fundit. Këto rezultate janë pozitive edhe pse vazhdojmë të kemi ngjarje kriminale. Me prezencën tonë policore mundohemi të parandalojmë këto krime.
A2 CNN: Pra ju mbuloni dhe portin? Nëse mund ta di, ka shumë grupe kriminale shqiptare që transportojnë kokainë nga Ekuadori, përafërsisht 2 tonë mbërritën në Shqipëri në tre vitet e fundit, a keni hasur dhe a njihni ndonjë organizatë kriminale shqiptare këtu në Ekuador më konkretisht në Guayaquil?
Major Luis Edmudo: Hetimet për organizatat kriminale që kemi bërë jo vetëm në qytetin e Guayaquil, por edhe në Ekuador janë përgjegjësi e Organizatës sonë të Antidrogës kur bëhet fjalë për narkotikë, ndërsa kur ekzistojnë krime të tjera kemi njësitë tona speciale, brenda asaj që është policia gjyqësore të cilat vijnë për të hetuar dhe për të ndërhyrë në këto raste. Nuk janë ndaluar vetëm qytetarë nga Shqipëria, por edhe qytetarë të huaj nga një numër i konsiderueshëm shtetesh, diçka që ndodh jo vetëm këtu në Ekuador, por edhe në vende të tjera. Kemi qytetarë kolumbianë, kemi influencë nga venezuelasit, peruanët, për vetë faktin se jemi shumë afër me kufi. Aktivitetet dhe punët që realizon policia nacionale nuk janë të fokusuar në një shtetësi ose në një tjetër, por kryesisht te vepra penale. Personat që lidhen me një krim pavarësisht nga kombësia do t’i nënshtrohen autoriteteve ekuadoriane për krimin që kanë kryer në këtë territor.
A2 CNN: Ne gjithashtu vizituam një zonë të rrezikshme ku vrasësit me pagesë jetojnë, a ka në Ekuador kaq shumë vrasës të tillë dhe a ka një luftë për kontrollin e territorit në atë zonë?
Major Luis Edmudo: Saktësisht në jugun e Guayaquil ku jemi të vendosur në këtë monomet, ekzistojnë organizata dhe kemi identifikuar organizata kriminale që veprojnë këtu në këtë territor të cilat janë përgjegjëse për vepra kriminale të ndryshme. Organizatat kriminale, më saktë liderët e këtyre organizatave, janë arrestuar dhe ndodhen në qendrat e rehabilitimit social, por struktura e organizatës kriminale vazhdon të operojë në rrugë, jo në një sasi të madhe, por është ende prezente. Dhe puna e policisë kombëtare vijon të jetë e fokusuar t’i identifikojë dhe t’i neutralizojë këto grupime menjëherë pas konstatimit të kryerjes së krimit dhe t’i dorëzojnë autoriteteve përkatëse personat që kryejnë një krim, qofshin këto vrasës, vrasës me pagesë ose trafikantë droge, që të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
Pasi kontejneri mbërrin në port, puna quhet e kryer. Këtu, grupet kriminale, mes të cilave edhe ato shqiptare, kanë kontaktet e tyre dhe, nëpërmjet pagesave të ndryshme që u bëhen punëtorëve të portit, kontejneri i identifikuar nuk kalon skanimin e imtësishëm.
Përfundimi: Brenda 3 viteve, në Shqipëri, vetëm sasia e bllokuar e kokainës shkon në total në 1,5 tonë./A2CNN