Policia e Durrësit ka arrestuar dy persona si autorë të dyshuar të vrasjes së 32-vjeçares Luljeta Preza.
Kjo e fundit u gjet ditën e djeshme e pajetë poshtë urës së “Dajlanit” në Durrës.
Policia në njoftimin zyrtar bën me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Deluzion” ka arrestuar dy autorët e dyshuar dhe ka nisur hetimin për tre shtetase të cilat kanë qenë prezente gjatë ngjarjes, për moskallëzim të krimit.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 32-vjeçarja, 2 autorët e vrasjes dhe 3 shtetaset e proceduara, gjatë ngjarjes së ndodhur poshtë urës së Dajlanit, kanë qenë nën efektin e lëndëve narkotike”, thuhet në njoftim.
Në pranga kanë rënë shtetasit Aldo Brahimi, 22 vjeç, banues në Lushnjë dhe Ylli Grabovari, 45 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet e thelluara të kryera menjëherë pas ngjarjes, rezultoi se rreth orës 01:00 të datës 02.08.2023, poshtë urës së Dajlanit, Durrës, 32-vjeçarja është konfliktuar me shtetasit A. B. dhe Y. G., për motive të dobëta (pasi kanë konsumuar lëndë narkotike kokainë, së bashku me shtetaset B. S., M. M. dhe me një 15-vjeçare).
Gjatë konfliktit, shtetasit A. B. dhe Y. G. kanë goditur me mjet prerës (thikë) shtetasen L. P., e cila si pasojë ka humbur jetën në vendin ku iu gjet trupi.
Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset B. S., 28 vjeçe, M. M., 26 vjeçe dhe për 15-vjeçaren, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kanë qenë prezente gjatë ngjarjes, por asnjëra nuk ka kallëzuar në Polici.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/albeu.com/