Luiza Gega refuzon të përfaqësojë Shqipërinë në Evropian: Federata po na kthen 20 vite pas

Kampionia evropiane e atletikës Luiza Gega ka zgjedhur të mos përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Evropian të Atletikës për shtete, që nis të martën në Slloveni. Arsyeja? Një mungesë serioziteti dhe organizimi nga ana e Federatës Shqiptare të Atletikës.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Gega ngriti zërin ndaj mënyrës se si ishte planifikuar transporti i ekipit, me autobus, për një rrugë që zgjat 20 orë.

“M’u rikthye ndjesia e para 20 viteve. Nuk ka asgjë të keqe të udhëtosh me autobus, por është një rrugë rraskapitëse që asnjë sportist nuk duhet ta bëjë para një gare,” – shkroi ajo.

Atletja shigjetoi drejtpërdrejt presidentin e ri të federatës, Izmir Smajlaj, ish-sportist i kërcimit së gjati, i cili mori detyrën në maj të këtij viti.

“Në ditën e parë ai tha se do të mbështeste sportistët sepse e kuptonte nga përvoja. Sot e ktheu atletikën 20 vite pas.”

Një tjetër problem që Gega e cilëson si skandaloz, është mungesa e uniformave për ekipin kombëtar. Sipas saj, federata nuk ka siguruar asnjë veshje zyrtare, por sërish pret që atletët të jenë të gatshëm për të garuar.

“Uniformat e vetme i kemi nga dy vite më parë, të blera nga trajneri im me lekët e tij. Kur s’ka fonde, një president i vërtetë duhet të marrë përgjegjësi, edhe nga xhepi i vet.”


Shtuar 22.06.2025 20:19