Luftimet në Gaza, Këshilli i Sigurimit të OKB zhvillon të dielën mbledhje urgjente

Të paktën 232 palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza, tha ministria e shëndetësisë. Shifrat e fundit sugjerojnë se të paktën 1,610 njerëz janë plagosur në sulme.

Izraeli nisi atë që e quajti “Operacioni Shpata e Hekurt” në përgjigje të sulmit të Hamasit.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite ka thënë se po godet objektivat në Gaza nga ajri.

Ndërkohë që po zhvillohen luftime në Gaza, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një takim urgjent të dielën.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres dënoi sulmin e Hamasit dhe kërkoi “të gjitha përpjekjet diplomatike për të shmangur një luftim më të gjerë”, tha në një deklaratë zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

“Sekretari i Përgjithshëm është thellësisht i shqetësuar për popullsinë civile dhe kërkon përmbajtje maksimale. Qytetarët duhet të mbrohen në çdo kohë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare”, tha Dujarric.


Shtuar 7.10.2023 20:43