Luftëtarët rusë të Wagner po trajnojnë ushtarë në Bjellorusi

Luftëtarët e organizatës mercenare ruse Wagner po trajnojnë ushtarë në Bjellorusi, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë.

Ministria publikoi një video që tregon luftëtarët e Wagner duke trajnuar ushtarë bjellorusë në një fushë ushtarake pranë qytetit të Osipovichi, rreth 90 km në juglindje të kryeqytetit Minsk.

“Luftëtarët Wagner veprojnë si trajnerë në një numër sektorësh ushtarakë,” sipas ministrisë.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko ndërmjetësoi për t’i dhënë fund kryengritjes jetëshkurtër të grupit mercenar më 23-24 qershor, që i solli luftëtarët e tij brenda më pak se 24 orësh rreth 200 km larg nga Moska.

Sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Lukashenko, shefi i Wagner-it Yevgeny Prigozhin urdhëroi njerëzit e tij të ktheheshin në bazat e tyre dhe t’i jepnin fund kryengritjes dhe ra dakord të zhvendoseshin në Bjellorusi në këmbim që Moska të hiqte akuzat kundër tij për kryengritje.

Prigozhin nuk është parë në publik që kur u tërhoq me forcat e tij nga qyteti rus i Rostovit më 24 qershor./Albeu.com


Shtuar 14.07.2023 17:36