Lufta në Ukrainë ndryshoi gjithçka, importet e armëve në Evropë pothuajse u dyfishuan në vitin 2022

Importet e pajisjeve ushtarake në Evropë pothuajse do gati u dyfishuan në vitin 2022, kryesisht për shkak të dërgesave masive në Ukrainë, e cila është bërë importuesi i tretë më i madh i armëve në nivel global, sipas një raporti nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI).

Importet e armëve konvencionale kanë njohur rritje, duke u rritur me 93% nga viti në vit, gjë që i atribuohet gjithashtu përshpejtimit të shpenzimeve ushtarake nga disa shtete evropiane, veçanërisht Polonia dhe Norvegjia, një prirje që pritet të forcohet më tej, thuhet në raport.

“Pushtimi me të vërtetë shkaktoi një rritje të mprehtë të kërkesës për armë në Evropë, e cila ende nuk është shfaqur plotësisht dhe ndoshta do të çojë në rritje të mëtejshme të importeve nga shtetet evropiane”, tha për AFP Peter Wezeman, bashkëautor i raportit vjetor të SIPRI-t mbi këtë çështje.

Ukraina, vitin e kaluar një importues relativisht i papërfillshëm i pajisjeve ushtarake, u bë papritur në vitin 2022 destinacioni i tretë më i madh i armëve në planet, pas Katarit dhe Indisë, një pasojë e drejtpërdrejtë e ndihmës perëndimore të ofruar për të zmbrapsur pushtimin e ushtrisë ruse.

Ky vend përbënte 31% të importeve të armëve evropiane dhe 8% të botës, sipas të dhënave të SIPRI.

Importet e bëra nga Kievi, përfshirë donacionet nga Perëndimi, u rritën gjashtëdhjetëfish në vitin 2022, sqaron instituti.

Megjithëse vlerësimet e sakta janë të vështira për t’u bërë për shkak të paqartësisë së shumë kontratave, tregtia globale e armëve kap vlerën e më shumë se 100 miliardë dollarëve në vit, sipas ekspertëve.

Rritja e importeve evropiane ishte e pritshme, duke pasur parasysh fillimin e luftës në Ukrainë.

Megjithatë, ajo shënoi përshpejtimin edhe më spektakolar të një tendence të regjistruar tashmë në Kontinentin e Vjetër të riarmatimit të shteteve evropiane pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014.

Gjatë pesë viteve të fundit (2018-2022), të cilat SIPRI i studion çdo herë për të nxjerrë konkluzione rreth tendencave kryesore, importet evropiane janë rritur me 47% krahasuar me pesë vitet e mëparshëm, dhe kjo në një kohë kur tregtia globale ka rënë me 5%.

Ndryshe nga Evropa, të gjitha kontinentet e tjera regjistruan një rënie të importeve të armëve gjatë pesë viteve të fundit, veçanërisht Afrika (–40%), Amerika e Veriut dhe Jugu (–20%), madje edhe Azia (–7%) dhe Lindja e Mesme (–9%), tregjet kryesore.

Nga ana e eksportuesit, pesë pozitat e para në pesë vitet e fundit u zunë nga SHBA (40%, nga 33% në pesë vitet e mëparshme), Rusia (16%, pavarësisht një rënie të madhe në shitjet e saj vitin e kaluar), Franca (11%), Kina (5%) dhe Gjermania (4%). /albeu.com