Nga Richard Kemp “The Telegraph”
Përktheu: Alket Goce- Albeu.com
Fjalimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky para Kongresit Amerikan, si një udhëheqës i kohës së luftës që bën thirrje për mbështetjen e Amerikës, është krahasuar
me fjalimin e Winston Churchill thuajse në të njëjtën datë në vitin 1941.
Megjithatë, në atë kohë SHBA-ja i kishte shpallur luftë Gjermanisë, dhe fitorja ishte e garantuar. Ndërkohë sot në Ukrainë, fitorja nuk është aspak e sigurt. Pasi Putin ka ende shanse që të fitojë. Një krahasim më i përshtatshëm do të ishte me konferencën e Churchillit me Franklin D.Roosevelt në bordin e anijeve “USS Augusta” dhe “HMS Prince of Wales”
në gushtin e vitit 1941.
Ashtu si sot me Ukrainën, SHBA-ja po e furnizonte me armë Britaninë e Madhe. Qëllimi i Churchillit, ashtu si ai i Zelensky sot, ishte të konsolidonte mbështetjen e SHBA-së për një luftë të gjatë. Në vitin 1941, kur e gjithë Evropa ishte pushtuar nga Gjermania naziste, Churchill nuk kishte se kujt t’i drejtohej tjetër.
Natyrsht situata sot është e ndryshme. Sot Evropa është e lirë dhe e begatë. Atëherë pse Zelensky nuk e mbajti fjalimin e tij në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel? Në fakt, është e jashtëzakonshme që pas dekadash paqeje në kontinent, dhe kur kombet evropiane pretendojnë se i kanë mësuar mësimet e Luftës së Dytë Botërore, një vend tjetër evropian po lufton kundër tiranisë, dhe duhet ende të mbështetet kryesisht tek Shtetet e Bashkuara dhe jo tek fqinjët e tij.
Pavarësisht një PBB-je të krahasueshme me SHBA-në, BE-ja i ka ofruar dukshëm më pak ndihmë Ukrainës. Vetëm ndihma e Uashingtonit arrin në 62 për qind të gjithë ndihmës së ofruar deri më tani. Nëse flasim për pajisjet ushtarake, hendeku është akoma më i madh: vendet e BE-së po furnizojnë më pak se gjysmën e asaj të SHBA-së.
Dhe këtu nuk ndihmon justifikimi se vendet e BE-së janë vetë të varura nga Amerika për mbrojtjen. Sepse pasi i kanë dobësuar ndjeshëm forcat e tyre të armatosura që nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe kanë shfaqur arrogancë sa i përket çështjeve të mbrojtjes, rezervat e
tyre ushtarake janë pakësuar prej kohësh.
Disa nga vendet më të pasura në kontinent kanë asete të pamjaftueshme ushtarake për të ruajtur sovranitetin e tyre, e lëre më atë të Ukrainës apo Perëndimit. Por as ky fakt nuk mund të jetë një justifikim. Dobësia e vullnetit evropian për të ndihmuar Ukrainën që nga shkurti ka qenë e turpshme.
E mbani mend kur, teksa trupat ruse u grumbulluan në kufijtë e Ukrainës, disa vende të Evropës Perëndimore ishin aq të tmerruara nga përballja me Putinin, saqë nuk e pranuan as idenë e dërgimit në Ukrainë të pajisjeve të vogla ushtarake, qoftë edhe vetëm për mbrojtje?
Madje për një farë kohe, Gjermania refuzoi të gjitha eksportet e armëve, duke e kufizuar ndihmën ushtarake në vetëm 5.000 helmeta luftarake, dhe duke bërë çmos për të penguar furnizimet me armë nga anëtarët e NATO-s të Evropës Lindore.
Avokatët e qeverive të BE-së do të thoshin se muajt e fundit e kanë ashpërsuar qëndrimin e tyre (edhe pse vetëm për të shpëtuar fytyrën, pasi kanë parë forcën e lidershipit anglo-amerikan). Por a po bëjnë mjaftueshëm tani? Franca, që ka ekonominë e dytë më të madhe në BE, është ende donatorja e 11-të më e madhe në botë.
Ndërkohë, Gjermania ka dështuar vazhdimisht në përmbushjen e angazhimeve që mori publikisht. “Shkëmbimi i tankeve”, një skemë për të zëvendësuar tanket e epokës sovjetike me modelet e reja gjermane, mbetet kryesisht e pazbatuar.
Kështu, me përjashtimin e dukshëm të qeverive të guximshme të Evropës Lindore si ato të Polonisë, Lituanisë dhe Estonisë, liderët e kontinentit kanë dështuar ta ndihmojnë si duhet Ukrainën. Ndaj nuk është e habitshme pse Zelensky bëri shumë më tepër lëvdata për Boris Johnson sesa Macron apo Scholz.
E kush mund ta fajësojë atë për udhëtimin e parë që nga fillimi i luftës në SHBA dhe jo në Evropë? Sepse pa strategjinë dhe udhëheqjen britanike dhe amerikane, vendet anëtare të BE-së do të kishin dështuar thuajse me siguri për të arritur një kompromis.
Dhe me kapitullimin e tyre të zakonshëm, do t’i bënin presion Zelensky që të hynte në negociata sipas kushteve të Vladimir Putinit. Në të vërtetë, Macron e konfirmoi pak a shumë këtë gjë në vizitën e tij të fundit në Uashington, kur deklaroi në mënyrë qesharake se NATO i jepte garanci Rusisë nëse fillonin negociatat, kur në fakt diskursi i tij duhej të ishte vetëm për garancitë ruse ndaj Ukrainës.
Tingëllon absurde që vetëm një vit më parë, u fol për krijimin e një ushtrie të BE-së të ndarë nga NATO, një projekt burokratik i kotë, i cili do ta dobësonte aleancën atlantike dhe do t’u jepte akoma më shumë pushtet teknokratëve në institucionet evropiane, të cilët e vënë në dyshim vetë konceptin e një aleance perëndimore.
Paaftësia e Evropës në krahasim me atë të SHBA-së në mbështetjen e Ukrainës, vetëm sa nënvizon marrëzinë e plotë të çdo lëvizjeje të tillë. Këtë vit BE-ja i tregoi botës se kur vjen puna për të treguar forcën, ajo nuk gjendet askund. Tani Britania, ashtu si Zelensky, bën mirë të qëndrojë më afër Uashingtonit sesa Brukselit.