LUFTA/ BB parashikon rritje të çmimit të naftës

Stabilizimi i çmimit të naftës në bursë, që mbetet në kufirin e 90 dollarëve, pas tronditjes që i shkaktoi tregut lufta Rusi-Ukrainë, pritet që të mos zgjasë për shumë kohë.

Sipas Bankës Botërore gjasat janë që çmimet e naftës të rriten, duke shkuar në më shumë se 150 dollarë për fuçi nëse konflikti midis Izraelit dhe Hamasit përshkallëzohet dhe shtrihet në Lindjen e Mesme.

Banka Botërore nuk përjashton as mundësinë që konflikti midis hebrenjve dhe palestinezëve të ndikojë te rritja e çmimeve për lëndët e para, energjinë, produktet bujqësore, si dhe ushqimet.

Nafta tashmë është rritur me 6 për qind, që nga raundi i fundit i luftimeve, që nisën më 7 tetor, kur militantët e Hamasit nga Gaza sulmuan Izraelin jugor dhe vranë më shumë se 1,400 civilë, duke marrë peng edhe rreth 240 pengje.

Izraeli është përgjigjur me një bombardim të pandërprerë të Gazës, për të cilin Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se ka vrarë më shumë se 8,000 palestinezë, gati gjysma e tyre fëmijë.

Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit vjen pasi lufta e Rusisë në Ukrainë tashmë ka ushtruar presion mbi tregjet, me atë luftë që është “goditja më e madhe për tregjet e mallrave që nga vitet 1970”, paralajmëroi kryeekonomisti i Bankës Botërore, Indermit Gill.

Banka Botërore parashikon që në rastin më të keq mund të kemi krizën e naftës të ngjashme me vitet 1970, e cila mund t’i shtynte çmimet e naftës në kufirin 140 deri në 157 dollarë për fuçi.

“Konflikti i fundit në Lindjen e Mesme vjen pas goditjes më të madhe në tregjet e mallrave që nga vitet 1970 – lufta e Rusisë me Ukrainën. Kjo pati efekte shkatërruese në ekonominë globale që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Nëse konflikti do të përshkallëzohej, ekonomia globale do të përballej me një goditje të dyfishtë energjetike për herë të parë në dekada”, tha Indermit Gill, kryeekonomist në Bankën Botërore.

Ai theksoi se skenari i një “shoku të dyfishtë energjetik”, që prek furnizimet si me naftë ashtu edhe në gaz, nuk kishte ndodhur për dekada, ndaj kërkoi nga ligjvënësit ndërkombëtarë që të jenë vigjilentë ndaj luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.

Në një skenar optimist, nafta do të rritej nga 3% deri në 13%, me çmimin që do të varionte midis 93 dhe 102 dollarë për fuçi.

Një skenar mesatar parashikon që çmimet të rriten deri në 121 dollarë, ndërsa një skenar i rastit më të keq do të shihte që nafta të arrinte 157 dollarë, duke tejkaluar edhe nivelet e krizës financiare të vitit 2008.


Shtuar 2.11.2023 20:17