Luçiano Boçi kritikon Peleshin: Nuk ka ndodhur në historinë e parlamentarizmit të ketë vetëm 4 folës dhe të kalojë në votim

Deputeti demokrat Luçiano Boçi, e cilësoi parlamentin qesharak dhe jashtë funksionit, duke iu referuar seancës së kaluar që kaloi për 25 minuta pa debat programin e qeverisë dhe kabinetin ministror.

Teksa kërkoi përsëritjen e asaj seance, ligjvënësi u shpreh se ajo ishte seanca e seancave dhe u mbyll vetëm me 4 folës, përfshi Diellën.

“Po e bëni këtë Parlament komplet qesharak dhe po e nxirrni jashtë funksionit. Nëse do doja ta përkufizoja do përdorja fjalët e një përfaqësuesi tuaj qeveritar, në ato filozofimet e veta që konkurronin edhe Diellin. Ju atë që është e domosdoshme, që është e mundur, ju e bëni të pamundur këtu në Parlament, bëni të pamundur fjalën e opozitës, po i referohem fjalës që mbajti një anëtar i juaji këtu. (Ministrja e Shëndetësisë)”, tha Boçi mes të tjerash.

Deputeti i PD-së, vijoi të bënte përgjegjëse mazhorancën për seancën e kaluar, duke i kërkuar kryeparlamentarit Niko Peleshi që të mos ia ndërpriste fjalën.

“Dhe me krenari kryetari i grupit tuaj parlamentar tha nuk keni folur. Nuk keni turp mo që ne nuk kemi folur? Nuk keni turp që ministrat tuaj nuk kanë folur? Është për procesverbalin. Mos më ndërpri. Ju pretendoni se votëbesimi është marrë me ngritje kartoni, çfarë janë këto ligj, çfarë janë këto, gërma. Këto janë njerëz që dalin aty për të marrë votëbesimin e qytetarit. Katër persona folën këtu, Diella e para, kryeministri, Balla dhe keni folur ju, nuk ka ndodhur, e tha zoti Berisha, nuk ka ndodhur në historinë e parlamentarizmit, të ketë 4 folës dhe të kalojë në votim”, përfundoi Boçi, teksa iu ndërpre dhe fjala.


Shtuar 24.09.2025 12:03