“Luan rolin e budallait”, Fevziu shpërthen ndaj Bashës: Përfundoi me 13% dhe nuk mban asnjë përgjegjësi

Blendi Fevziu, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për zgjedhjet e 6 marsit dhe humbjen dërrmuese të Partisë Demokratike.

Fevziu mbajti një qëndrim të ashpër ndaj Bashës, duke thënë se ai “hiqet si budalla” dhe se ka çuar Partinë Demokratike në pikën më të ulët në histori, duke e shndërruar në forcë të tretë, nga një forcë qeverisëse.

“Çdo njeri është i bindur që ky rezultat nuk i jep asnjë shans opozitës për të përmbysur mazhorancën e Edi Ramës. Ka një rritje 7% mazhoranca.

Për herë të parë në historinë 32 vjeçare, PD me një të shkuar historike të lavdishme, ka dalë e treta dhe me diferencë të ndjeshme nga vendi i dytë. Kjo është traumatike. Nuk ka ndodhur kurrë që një parti qeverisëse, të dalë forcë e tretë. LSI ka dalë parti e dytë, ndërsa PD ka vajtur në kuotat e LSI të para katër viteve.

PD ka grup të madh opozitar në parlament, por nuk reflekton mbështetjen që ka në bazë. Rrezikon të bëhet si opozita që e quanim, opozita e re. Mund të ndodhë të kemi një grup parlamentar që nuk ka mbështetje në publik.

Sot PS ka 55%. Berisha ka 31%, ndërsa Basha ka 13% të votave. Me 13% të votave, synon të jesh zëri i parë opozitar. Kjo është dramatike. Këto zgjedhje sanksionuan një rregull unikal, që ti humb apo fiton, je me zero, rri aty ku rri dhe nuk mban përgjegjësi.

Po të duam të justifikojmë budallallëqe mund ta bëjmë. Basha mund të thotë të gjithë jetën kam fituar. Cfarë do të thotë kjo? Te Arjan Cani ka qenë njëri që thoshte jam mbreti i Anglisë. Kjo është absurditet. PD që ditën që e ka marrë Basha, nuk ka fituar asnjë ditë pushtetin.

Nuk kemi një opozitë solide, kemi opozitë të ndarë në dy pjesë. Mendoj se shumë njerëz do të kalojnë tani tek Berisha.

Unë kam kontakte me të gjithë palët, prej punës që bëj. Ka një modë të shndërruar në Shqipëri, edhe ne kemi kontribuar në këtë, që shumë politikanë e kanë kollaj të bëjnë rolin e budallait sesa të politikanit.

Gjejnë mbështetje nga kryetari dhe nuk votohen, ndryshe nga mazhoritari që kishin përgjegjësi sepse votoheshin përballë njerëzve. Ka një sërë politikanësh që bëjnë budallain”, tha Fevziu.


Shtuar 7.03.2022 21:54