Më 15 gusht, 16-vjeçari Klei Xhaja u përplas me Jet Ski në plazhin e Llamanit në Himarë. Pesë ditë më pas, ai nuk mundi t’ia dilte dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës.
Familjarët e të miturit kanë protestuar sot duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe drejtësi. Ata kanë hedhur lule në det, në vendin ku 16-vjeçari humbi jetën.
“Kemi ardhur këtu në vendngjarje për drejtësinë e djalit. Kjo që ka ndodhur mos t’i ndodhë kujt. Duam drejtësi deri në pikën e fundit. Në qoftë se nuk marrim drejtësi do bëjmë vetëgjyqësi”, tha babai i 16-vjeçarit Artur Xhaja.
“Duhet të vihet drejtësia. I jepet motori fëmijëve 16 vjeç dhe bëhet ajo që u bë. Këtu nuk ka as kontroll asgjë”, deklaroi daja i djalit.
Ditën e djeshme, Rigersi, njëri prej 4 të miturve që u përfshinë në aksident rrëfeu se bashkë me miqtë e tij, të gjithë të mitur, paguan lekët dhe direkt dolën xhiro në det. Ata nuk u pyetën për moshën nga personi i cili ia dha motorët.
“Duam të marrin një jet ski të dalim në det të bëjnë xhiro, askush s’na kërkoi as identitet, as patentë, as moshën, nuk na pyeti askush”, rrëfen ai.
Ai pranoi se në fillim dhanë dëshmi të rreme në polici për shkak të presionit që morën nga pronari i Jet Skive, të cilin e identifikon si Renato Panajoti.
“Policia erdhi në urgjencë, aty po flisja me pronarin e Jet Skive. Më tha që me rrezikohet biznesi mund të themi se është hedhur nga shkëmbi, nuk kemi çfarë i bëjmë, kjo që ndodhi ndodhi. Në fillim deklaruam se është hedhur nga shkëmbi. Nga trauma s’dinim si të vepronim na u shtua dhe pak presioni. Pasi u kthjelluam pak dhamë dëshminë tamam”, tregon ai.
Lidhur me rastin Prokuroria e Vlorës po vijon hetimet.