Biznesmeni Alban Xhillari akuzohet se përmes krijimit të një rrjeti kompanish që de juro drejtohen nga një grusht njerëzish të besuar të tij dhe përmes falsifikimit të dokumenteve ka fituar statusin e investitorit strategjik në një pronë të lakmuar të bregdetit shqiptar.
Bëhet fjalë për investimin strategjik ‘Jala Entertainment Park’.
Statusi i investitorit strategjik iu dha fillimisht në vitin 2019 në një sipërfaqe prej 140 mijë metrash katrorë në zonën e Jalës, ku Alban Xhillari kishte ngritur më herët edhe biznesin ‘Folie Marine’.
Por, mbi tokën ku tashmë po ngrihet investimi strategjik pati pretendime pronësie nga palë të tjera, që kishin fituar këtë të drejtë edhe nga një vendim i Gjykatës së Apelit të Vlorës.
Xhillari u padit për falsifikim dokumentacionesh, që në 2019-2020 dyshohen se kanë qenë shkaku i ndërrimit të 12 drejtorëve të hipotekës së Vlorës.
Zyrtarisht, drejtorët largoheshin brenda ditësh e javësh duke cituar arsye personale, jozyrtarisht është një sekret publik në Vlorë se krerët e Kadatrës largoheshin sapo viheshin nën presion për të firmosur kalimin e pronësisë te Alban Xhillari, të një prone që atij si takonte.
Në lidhje me këtë pronë, në 2020, Kontrolli i Lartë i Shtetit, drejtuar në atë kohë nga Bujar Leskaj, gjeti shkelje të rënda dhe përmes një raporti auditimi në Kadastrën e Vlorës tha se dokumentacioni mbi bazën e të cilit ishte përfituar statusi i investitorit strategjik nga Xhillari ishte i rremë.
Ky raport dhe akuzat e palës tjetër, që pretendonte pronësinë e truallit mund të jenë shkaku se përse Alban Xhillari është fshehur pas investitorit strategjik, përmes një rrjeti kompanish dhe bashkëpunëtorësh të ngushtë të tij.
Statusi i investitorit strategjik është dhënë për kompaninë Soleil & Sea.
Nga të dhënat e QKB, kompania zotërohet në 90 për qind të saj nga Endri Mingollari dhe 10 për qind të tjera nga Ardit Bajraktari.
Kompania ka marrë në total gati 220 mijë metër katrorë prona në zonën e Jalës për të ndërtuar fshatin turistik dhe një hotel, që sipas projektit fillestar arrijnë vlerën e investimit rreth 70 milionë euro.
Një pjesë e pronës së përfituar është kundërshtuar nga shtetasi Kristo Gjoka.
Ky i fundit në 2019 kallëzoi në prokurori Alban Xhillarin, duke e akuzuar për falsifikim dokumentacionesh dhe përdorim të lidhjeve me pushtetin për t’i grabitur pronat në jug.
Xhillari iu kundërpërgjigj po me kallëzim, por jo në emër të vet. Ai kallëzoi Kristo Gjokën në emër të kompanisë Kempixh.
Kjo e fundit është themeluar nga Alban Xhillari në prill të vitit 2008. Një muaj më pas, Xhillari shet 100 për qind të aksioneve.
Por, megjithëse zyrtarisht është larguar prej vitit 2008, ai dyshohet se ka ende kontrollin de fakto të saj, aktualisht përmes shtetasit Taulant Xheleshi.
Ky i fundit ka marrë 100 për qind të aksioneve të kompanisë në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa para tij kompania ka ndryshuar disa herë pronësinë mes shtetasve Albano Ahmeti, Jani Kosta dhe Klaus Balliu, që të gjithë emra që dalin herë si administratorë, herë si pronarë e bashkëpronarë në bizneset e tjera të Alban Xhillarit.
Taulant Xheleshi del si pronar me 100 për qind të aksioneve edhe në kompaninë e ndërtimit BETA, që nga vitit 2001 deri në 2011 është zotërur herë 100 për qind e herë me shumicë dërrmuese të aksioneve pikërisht nga Alban Xhillari.
Në 2018, Albano Ahmeti, që ka rezultuar pronar edhe në kompaninë Kempixh, ka ushtruar edhe funksionin e administratorit te kompania BETA, ndërsa në 2021 ka blerë 100 për qind të aksioneve nga Ksenis Zakja.
Në 2023, Albano Ahmeti shet të gjitha aksionet te Klaus Balliu dhe dy vite më vonë, Balliu ja shtet Taulant Xheleshit.
Bie në sy fakti që të gjitha transaksionet me aksionet e kompanisë kanë vlerën standarde të 100 mijë lekëve. /Voxnews/