LIVE/ Përcillet në banesën e fundit ish-presidenti Bujar Nishani, kortezhi më këmbë përgjatë bulevardit

Sot iu dha lamtumira e fundit, ish-presidentit të Republikës së Shqipëri, Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë disa ditë më parë në Gjermani për shkak të komplikimit të sëmundjes autoimune nga e cila vuante.

I mbështjellë me flamurin kombëtar, i mbajtur nga trupa ceremoniale e gardës e veshur me të kuqe, arkëmorti i ish-Presidentit të Republikës Bujar Nishani ka dalë nga institucioni i Presidentit me nderimet e fundit të ceremonisë shtetërore.

Një minutë heshtje me kokat ulur për të nderuar kujtimin e tij nga të gjithë të pranishmit. Më pas kortezhi ka vijuar më këmbë përgjatë bulevardit dhe arkëmorti është mbuluar me lule të bardha.

 

 

Ish-Presidenti i gjashtë i Republikës së Shqipërisë post-komuniste, Bujar Nishani, ndërroi jetë disa ditë më parë pasi ishte i shtruar në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i kishte lënë në organizëm. Fillimisht, Nishani u shtrua në Senatorium dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat post-COVID i lanë me shenja pneumonie në mushkëri.

Gjendja e tij u stabilizua për pak kohë. Por, më pas, ajo u përkeqësua. Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit.  Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017, ndërsa bëhet presidenti më i ri në moshë që ka ndërruar jetë në Shqipëri.


Shtuar 2.06.2022 12:11