Lista me kritere: Si mund të marrësh një armë në Shqipëri, mbi 25 vjeç dhe të gëzojë besueshmëri

Policia e Kukësit ka publikuar informacion lidhur me kriteret bazë dhe dokumentet për pajisjen me autorizim dhe blerjen e armëve. Në listën e nxjerrë nga Policia, disa nga kriteret kryesore janë: mosha mbi 25 vjeç; autorizim nga ministria dhe raport për aftësimin teorik dhe praktik. Po ashtu në listën e armëve që jepen me leje janë edhe ato të gjuetisë, edhe pse në vendin tonë sporti është i ndaluar me ligj.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës

Informacion mbi kriteret bazë dhe dokumentet shoqëruese që nevojiten për pajisjen me autorizim për blerje/mbajtje arme me vjaska, gjuetie/sportive, për personat juridikë dhe fizikë.

Kriteret thelbësore:

• Të ketë autorizim nga ministria përkatëse.
•Personi të ketë moshën mbi 25 vjeç dhe zotësi të plotë për të vepruar.
•Personi të jetë i aftë nga ana fizike dhe mendore.
•Personi të ketë kryer aftësimin teorik dhe praktik.
•Të mos kenë qenë të dënuar më parë me vendim të formës së prerë për veprat penale të kryera me dashje.
•Të gëzojë besueshmëri sipas ligjit.
•Të mos jetë debitor në shlyerjen e gjobave për kundërvajtjet administrative sipas ligjit.

Dokumentet shoqëruese (provuese dhe të tjera shoqëruese);

• Vërtetim nga Ministria përgjegjëse për Mjedisin/Ministria përgjegjëse për sportin;
•Raporti i komisionit mjeko-ligjor.
•Kopje e kartës së identitetit.
•Certifikata e aftësimit teorik dhe praktik (lëshuar nga një subjekt i licencuar për këtë veprimtari).
•Formular vetëdeklarimi
•Certifikatë familjare.

Kërkesa dhe me dokumentacionet përkatëse dorëzohen pranë Zyrës së Shërbimeve për Qytetarëve (ZSHQ) pranë Komisariateve të Policisë. Drejtoria Vendore e Policisë fton qytetarët që për çdo informacion, probleme shqetësuese për zonën ku banojnë apo denoncime, mund të paraqiten pranë ZSHQ-ve ose mund të shkruajnë dhe në faqen zyrtare të Drejtorisë Vendore të Policisë, duke iu garantuar shërbim cilësor, reagim të shpejtë dhe profesional. #PoliciKomunitet për një ambient më të sigurt për jetesën në komunitet.


Shtuar 15.06.2021 14:24