“Lirinë e fituam me gjak, çlirimin me aleatë”, Ali Ahmeti i emocionuar nga “Sheshi Skënderbej”: Kërkoj drejtësi për Çlirimtarët, këtu në Tiranë u frymëzua Adem Jashari

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka udhëtuar këtë të premte nga Maqedonia e Veriut për në Tiranë për t’iu bashkuar protestës madhështore e cila do të mbahet në Sheshin Skënderbej, në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët prej 5 vitesh po qëndrojnë padrejtësisht në Hagë.

Ashtu sikurse dhe Ahmeti, qindra qytetarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga qytetet e Shqipërisë, janë mbledhur në zemër të kryeqytetit shqiptar në një manifestim të thirrur me moton “Liria ka emër”. Protestuesit kanë ardhur të pajisur me flamuj kombëtarë dhe simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kërkuar drejtësi për ata që e çliruan Kosovën me gjak.

Në një deklaratë për mediat, Ali Ahmeti theksoi se UÇK-ja ka qenë një organizatë çlirimtare që ka bashkëpunuar ngushtë me NATO-n, SHBA-në dhe Bashkimin Europian. Ai tha se nuk mund të vendoset barazi mes agresorit dhe çlirimtarit.

“Sot ne jemi në kërkim të drejtësisë dhe besojmë që drejtësia në fund do të vendosë drejt. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një organizatë Çlirimtare, ka qenë një organizatë e cila ngushtë ka punuar me NATO me Amerikën, me Europën dhe ne ju jemi mirënjohës si Amerikës, Europës. ne lirinë e fituam me gjak por çlirimin me aleatë. Na ndihmoi Amerika, Nato, Europa. Ne kemi respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare dhe nuk mund të vendoset një barazi mes agresorit dhe Çlirimtarëve. Kjo po shihet hapur dhe ne kërkojmë që drejtësia të vendoset në vend”, tha ai teksa më tej i mbushur me emocione theksoi se sheshi “Skënderbej” ka qenë gjithmonë simbol frymëzimi për të gjithë shqiptarët, duke përmendur emra të heronjve të rënë si Adem Jashari, Adrian Krasniqi, Qerim Kelmendi dhe Zahir Pajaziti.

Pjesë nga fjala e Ali Ahmetit:

Sot ne jemi në kërkim të drejtësisë dhe besojmë që drejtësia në fund do të vendosë drejt. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një organizatë Çlirimtare, ka qenë një organizatë e cila ngushtë ka punuar me NATO me Amerikën, me Europën dhe ne ju jemi mirënjohës si Amerikës, Europës. ne lirinë e fituam me gjak por çlirimin me aleatë. Na ndihmoi Amerika, Nato, Europa. Ne kemi respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare dhe nuk mund të vendoset një barazi mes agresorit dhe Çlirimtarëve. Kjo po shihet hapur dhe ne kërkojmë që drejtësia të vendoset në vend.

Kam emocione, nostalgji sepse te ky shesh jam frymëzuar, të rënët dhe heronjtë më të mëdhenj Adem Jashari, Adrian Krasniqi, Qerim Kelmendi, Zzahir Pajaziti, janë motivuar në këtë shesh, dhe pikërisht ky shesh na grumbullon gjithandej shqiptarë ku jetojnë, si në Kosovë, Maqedoni dhe më së shumti në Shqipëri. Sot do kesh prej të gjitha qyteteve të Shqipërisë, ashtu sikurse i pritën shqiptarët e Kosovës që ndanë kafshatën e tyre. Pjesëmarrja sot do jetë në drejtim të lirë, të solidaritetit me çlirimtarët dhe në kërkim të drejtësisë.

-Perplasja e Ramës me Kurtin:

Ali Ahmeti: Mua nuk më vjen mirë, por dhe nuk i komentoj e autoriteteve. Kjo është një protestë mbarë kombëtare, nuk ka të bëjë as me politizim, është vendimi i shoqatave të dala nga lufta. Thirrja u është bërë të gjitha subjekteve dhe të gjithë kanë qenë të mirëserardhur


Shtuar 17.10.2025 16:06