Mbi 500 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të tjerë nga Kosova janë nisur në Holandë. Të dielën pritet të mbahet një protestë masive në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, në mbështetje të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me këngë patriotike e thirrjeve për drejtësi, ata janë nisur nga Kosova. Shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të ndryshme të Evropës, të dielën do të protestojnë me thirrjen “Liri për çlirimtarët”.
Mërgata shqiptare është bërë bashkë në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së, në një organizim më 14 shtator – një ditë para se të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes.
Ramadan Gashi, sekretar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), thotë se po planifikojnë të mbërrijnë të dielën në Hagë, pak para fillimit të protestës, e cila do të fillojë në orën 14:00.