“Linda e vërtetë e AKSHI-t është ajo e Surrelit”, Berisha: 9 vende të BE kanë ‘ngrirë’ negociatat me Shqipërinë (VIDEO)

Kreu i PD, Sali Berisha tha se 9 shtete anëtare të BE kanë bllokuar negociatat me Shqipërinë. Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha tha se shkak për këtë qëndrim janë bërë aferat korruptive të qeverisë si dhe mbrojtja që i bëri kryeministri Edi Rama ish-vartëses së tij, Belinda Balluku.

Berisha foli edhe për skandalin AKSHI, duke theksuar se “Linda e vërtetë është ajo e Surrelit, ndërsa Mirlinda Karçanaj është prestanome”.

Të lidhura

None found

Sali Berisha: Dita 1 prill është dita e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, e arritjes më të madhe historike në fushën e sigurisë pas shpalljes së pavarsisë së vendit. Por këtë ditë ne morëm edhe një lajm të hidhur, që e fshehur qeveria. Këtë ditë në Bruksel, në debatin që do zhvillohej për IBAR-in me Shqipërinë, nuk ishin më tre apo katër vende që kundërshtonin miratimin e vlerësimit të standardeve dhe shtetit ligjor në Shqipëri, por ato u bënë 9 vende që e kundërshtuan me shumë argumente dhe shumë çështje votimin e këtij raporti. Edi Rama dhe propaganda e tij e fshehu këtu, përkundrazi nxjerr zëdhënësit e tij të mashtrojnë shqiptarët.

Por unë përsëri u them se pa votimin unanim të këtij raporti, Shqipëria nuk mbyll asnjë kapitull, çka do të thotë procesi i integrimit për momentin është vendnumëro. Por u garantoj se nëse vazhdohet ky qëndrim, kjo mbrojtje e Lubi Ballukut, në rast se vazhdohet ky qëndrim ndaj dosjes së AKSHI-t, ku Linda e vërtetë është ajo e Surrelit, kurse Mirlinda është prestanome e saj, Shqipëria jo vetëm që do të rrijë në vendnumëro, por do të kthehet mbrapa me ndëshkime të rënda. Kjo është e vërteta. Edhe ky është një motiv shumë i fortë për shqiptarët që të mbrojnë projektin e tyre, projektin e jetës së tyre, projektin e integrimit të vendit në BE.

Enia Xheroveni: Sot ka dalë lajmi që 9 vende të BE-së kanë votuar për ngrirjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë. Ju keni dijeni për këtë dhe a ka ndikuar çështja Balluku në ngrirjen e negociatave…

Sali Berisha: Kam dijeni për këtë sepse me datën 1 prill, kur pritej të diskutohej për raportin e vlerësimit të standardeve të shtetit ligjor në Shqipëri dhe luftës kundër korrupsionit, numri i vendeve që u shpreh kundër votimit të tij, i mbidyfishua, nga 4 u bënë 9. Dhe ne ju kishim paralajmëruar për këtë. Nuk mund të kapërdihet, ju garantoj se herën tjetër do të jenë 13. Pse do të jenë 13? Sapo të marrin vesh të vërtetën Balluku. E vërteta e dosjes Balluku dhe AKSHI, janë bërë dokumente të pakundërshtueshme të korrupsionit në Shqipëri dhe të bllokimit të luftës ndaj korrupsionit nga Edi Rama. Por probleme të tjera të mëdha përveç këtyre janë të panumërta dhe ajo që po ndodh, po të më pyesni mua, njëlloj siç hapet pika e vajit, po kthjellohen, po përhapen dhe opinionet e sakta për qeverinë e Tiranës.

Edi Rama këto ditë, duke mashtruar shqiptarët dhe duke mos u treguar të vërtetën, thotë nëpër takimet me socialistët se janë ata të paudhët që po përpiqen të pengojnë këtë proces.

Edhe njëherë dua të them para shqiptarëve: qëndrimi ynë është shumë transparent, ne jemi për procesin e integrimit, por deklarojmë se Shqipëria nuk plotëson absolutisht asnjë kriter përveç kriterit gjeostrategjik.

Siç e shihni ju, koha po vërteton këtë që kemi thënë. Ne e kemi thënë këtë me kohë, ne kemi paraqitur para komunitetit ndërkombëtar dokumente dhe fakte të pakundërshtueshme se, Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter. Ato janë të sanksionuara në 7 rezoluta ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë dhe të djathta.

Tani këto po realizohen të gjitha një e nga një. Me Edi Ramën ju siguroj, siç e tha dhe vetë Komisioni Europian, integrimi nuk është çështje lider. Pra me Edi Ramën integrim nuk ka.

Edi Rama është një armik i egër i integrimit dhe mbrojtës i interesit të tij. Ne mbrojmë interesat e shqiptarëve duke denoncuar korrupsionin e Edi Ramës, korrupsionin e familjarëve, mbrojtjen që ai i bën korrupsionit dhe bllokimit e sistemit të drejtësisë dhe shtetit ligjor.

Por tani kjo po realizohet në mbarë Europën.


Shtuar 4.04.2026 12:30