Lija e majmunit/ Konfirmohet rasti i parë në Shqipëri, një 30-vjeçar rezulton i infektuar

Identifikohet rasti i parë me linë e majmunit në Shqipëri. Burime për Top Channel, e konfirmojnë se sëmundja infektive virale shkaktuar nga virusi monkeypox, është diagnostikuar tek një i ri rreth 30-vjeç.

Mësohet se i riu kishte udhëtuar jashtë vendit, të paktën kjo është ajo që ka treguar para mjekëve të cilët e lidhin këtë të fundit si shkak infektimi.

Kjo për shkak se deri më tani në Shqipëri nuk ishte identifikuar, ose raportuar nga Instituti i Shëndetit Publik raste të prekura nga lija e Majmunit.

Simptomat e kësaj sëmundje janë temperaturë, dhimbje trupi, ënjtje të nyjave limfatike, skuqje dhe puçrra që shndërrohen në flluska me kore.

Ato dalin zakonisht në duar fytyrë dhe organe gjenitale. Sëmundja e monkeypox, përhapet nga kontakti i drejtpërdrejtë me personat e infektuar si prekje e lëkurës apo marrëdhënie intime.

Por një person mund të infektohet edhe nga kontakti i objekteve të kontaminuara si çarçafët, peshqirët apo rrobat.

Monkeypox, është sëmundje e Afrikës pasi virusi qarkullon në kafshët e egra. Në vitin 2022, kjo sëmundje u përhap në Europë dhe ShBA dhe Mbretërisë e Bashkuar.

Spanja ka qenë vendi me numrin më të lartë nga Mpox me afro 8100 raste më pas Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.

Sëmundja monkeypox është e kurueshme, personi duhet të izolohet nga anëtarët e tjerë të familjes. Ajo shfaq simptoma më të rënda tek fëmijët apo personat me imunitet të dobët./TCH