Ligji për profesionet e lira në Kushtetuese, Jorida Tabaku: Betejë kundër sistemit të korruptuar fiskal

Përmes një postimi në rrjetet sociale, deputetja PD-së, Jorida Tabaku, shprehet se beteja në Kushtetuese për Profesionet e Lira, është në të vërtetë një betejë kundër një sistemi të korruptuar fiskal që është ngritur për të taksuar punën, dijen dhe riskun sipërmarrës ndërkohë që u fal taksat një pakice që përfiton gjithë të mirat e buxhetit, pra taksave të shqiptarëve.

Reagimi i Tabakut, vjen një ditë përpara se Kushtetuesja të shqyrtojë në seancë të hapur kushtetueshmërinë e ligjit për taksimin e profesioneve të lira.

Referuar një tabele që Tabaku ka publikuar, rezulton se Shqipëria ka nivelin më të lartë të taksave krahasuar me vendet e Rajonit.

Postimi:

Ditën e nesërme Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë në një seancë të hapur kushtetuetshmërinë e Taksimit të Profesioneve të Lira.

Qeveria pretendon se ne që e kundërshtojmë këtë taksë, jemi disa anarkistë që nuk duam fare taksimin. Në të vërtetë, ne jemi njerëzit racionalë që jemi kundër taksimit të pandershëm dhe një sistemi korruptiv që i bën të paguajnë shumicën më shumë duke i rënduar në kurriz barrën e rëndë fiskale.
Politika e taksimit të pandershëm dhe sistemit korruptiv ka shkatërruar sipërmarrjen e lirë dhe padyshim riskmarrësit kanë vendosur të largohen nga vendi. Rreziku është që profesionistët e lirë të shkojnë në Kosovë apo vendet fqinje të rajonit. Pse? Në Kosovë profesionet e lira taksohen me 9% ndërkohë që punëtorët taksohen me një progresivitet deri në 10% (pra më poshtë se në Shqipëri). Nëse në Shqipëri profesionet e lria taksohen në letër me 15% deri në 23% në vendet e rajonit ky taksim është shumë më i ulët.

Bizneset e reja që po krijohen në Shqipëri janë në përqindje më të ulëtat që nga viti 2010. Sipërmarrjet e reja për vitin 2023 ishin 10.5% e totalit të ndërmarrjeve aktive dhe ky është treguesi më i ulët që nga viti 2010 por dhe në nivelin e pandemisë. Investimet e Huaja Direkte janë rritur në vlerë por realisht ata janë investime në blerjen e apartamenteve pasi ekonomia e monopolizuar dhe ligjet me porosi të kësaj mazhorance nuk ofrojnë asnjë mundësi investimi serioz.

Kriza ekonomike që po kalon vendi është një krizë me origjinë mazhorancën socialiste dhe sistemin e korruptuar fiskal që kjo mazhorancë dhe qeveri ka sponsorizuar.
Prandaj nesër beteja në Kushtetuese për Profesionet e Lira është në të vërtetë një betejë kundër një sistemi të korruptuar fiskal që është ngritur për të taksuar punën, dijen dhe riskun sipërmarrës ndërkohë që u fal taksat një pakice që përfiton gjithë të mirat e buxhetit, pra taksave të shqiptarëve.

 


Shtuar 17.06.2024 16:00