Kanë shkaktuar debate mes maxhorancës dhe deputetit demokrat Ferdinand Xhaferaj ndryshimet në ligjin për “Policinë Bashkiake”, të cilat në tërësi i japin më shumë kompetenca kësaj strukture.
Sipas ndryshimeve të miratuara me shumicë votash të socialistëve, Policia Bashkiake do të ketë kompetenca më të mëdha në administrimin e territorit duke bërë që të shtohet ndjeshëm edhe numri i tyre për çdo njësi të qeverisjes vendore.
Ky fakt, por edhe kompetencat e shtuara bën që Xhaferaj të kërkonte disa ndryshime në ligj, të cilat sipas tij parandalonin angazhimin e policëve bashkiakë në zgjedhjet lokale, gjë e cila nuk u pranua nga socialistët që e votuan ligjin siç e kishin sjellë në Kuvend, pa përfshirë sugjerimet e demokratit.
“Rritja e kopetencave do të shoqërohet me rritjen e numrit të policëve dhe kjo u pranua nga zv. ministrja Romina Kuko në komision. Së dyti, numri i madh i kompetencave do të thotë se është ndertuar rrjeta e iëet ku çdo qytetar i Republikës së Shqipërise diku me favore dhe diku me kërcënim eshte nen presion apo nen joshje nga polici bashkiak. Kjo do të krijojë nje problematike të renduar për lirinë dhe ndershmërine e zgjedhjeve që vijnë”, tha demokrati duke shtuar:
Kryeministri kerkoj falje per policin e shtetit dhe tani lejon me ligj policin e qytetit. Cfare lloj falje eshte kjo? Pra, ndalon policin e shtetit qe te heqi kapelen dhe te shkoj te mbledhi vota per rilindjen dhe lejon policin e qytetit te heqi kapelen dhe te mbledhi vota per kandidatin e rilindjes. Nese nuk miratoni kete amendament, kater muaj kalojne shpejt, dhe ketu do jemi per akuzat qe do ngrihen per baltosjen qe do i beni zgjedhjeve lokale duke demtuar edhe me polici lirine dhe ndershmerine e zgjedhjeve. Shqiperia ka hapur tashme negociatat dhe me kete ligj po beni nje hap te madh mbrapa duke perfshire policine lokale ne zgjedhje duke risjelle keshtu problematika qe Shqiperia jo pa sakrifica ka vite qe i ka lene mbrapa.
Megjithatë, në këtë përballje me Ramën dhe të majtët, Xhaferaj mori një premtim nga kryeministri se nëse ndodhte që policët bashkiakë do të përfshiheshin në zgjedhjet lokale të majit, ai do t’i kërkonte falje publikisht deputetit të Durrësit për kompetencat e dhëna sot ndaj Policisë Bashkiake.
Kompetencat dhe detyrat e reja të Policisë Bashkiake:
1.Siguron zbatimin e akteve të nxjerra nga kryetari i bashkisë dhe këshilli bashkiak;
2.Parandalon, konstaton dhe shqyrton kundërvajtjet administrative, përmes forcimit, inspektimit dhe monitorimit në zbatim të akteve të njësive të vetëqeverisjes vendore brenda territorit të juridiksionit të saj.
3.Merr masa të sigurisë për zbatimin e planit të emergjencës së bashkisë për parandalimin e fatkeqësive të ndryshme natyrore, si dhe bashkëpunon me strukturat e mbrojtjes civile pranë bashkisë dhe prefektit të qarkut për kapërcimin e tyre;
4.Kontrollon zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në territorin e juridiksionit të saj, sipas parashikimeve në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit që lidhen me Policinë e Shtetit;
5.Vendos kufizimin e qarkullimit në rrugë jashtë qendrave të banuara, për ditët e festave lokale në bashkëpunim me organet e Policisë Rrugore;
6.Bashkëpunon me Policinë e Shtetit për mbikëqyrjen e sigurisë, brenda territorit të juridiksionit të saj;
7.Bashkërendon masat me Policinë e Shtetit për ruajtjen e rendit e të qetësisë publike në raste të aktiviteteve, në territorin e juridiksionit të bashkisë;
8.Verifikon zbatimin e ligjshmërisë dhe patrullimin periodik në bashkëpunim me Policinë e Shtetit përgjatë vijës bregdetare publike dhe në zonat çlodhëse të ujërave të brendshme në thellësi të territorit, për sigurinë në det, plazhe dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit të juridiksionit të bashkisë;
9.Monitoron respektimin e ndarjes së hapësirës së plazhit gjatë ushtrimit të veprimtarisë të çdo personi juridik apo fizik pranë stacioneve të plazhit në territorin e juridiksionit të bashkisë;
10.Merr masa sigurie në veprimtaritë sportive dhe ndeshjet e futbollit gjatë organizimit dhe zhvillimit të tyre, si personel sigurie;
11.Mbështet strukturat përgjegjëse të bashkisë për strehimin social, për procedurat e zhvendosjes së individëve ose familjeve nga vendbanimi a strehimi i tyre;
12.Merr masa për ruajtjen e objekteve në pronësi të bashkisë, si dhe të atyre që administrohen nga ana e saj.
13.Mbikëqyr respektimin e normave etike detyruese të bashkëjetesës, të përcaktuara në rregulloren e administrimit të bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit;
14.Mbështet organet e inspektimit për zbatimin e legjislacionit për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit;
15.Siguron ekzekutimin e sanksioneve për lidhjen dhe zgjidhjen e kontratës së qirasë së banesave sociale me qira dhe kufizimet mbi banesat me kosto të ulët, të vendosura nga entet menaxhuese.
16.Bashkërendon punën me strukturat përkatëse kur konstaton veprimtari të paligjshme për mjedisin, natyrën, pyjet, biodiversitetin dhe florën e faunën e egër;
17.Bashkëpunon me strukturat përgjegjëse të kontrollit mbi gjuetinë kur pengohen në kryerjen e detyrës;
18.Bashkëpunon me strukturat përgjegjëse të inspektimit që mbulojnë veprimtarinë e peshkimit;
19.Bashkëpunon me strukturat përgjegjëse për ushtrimin e kontrollit për mbrojtjen e liqeneve ndërkufitare, brigjeve të tyre, zonave ujëmbledhëse, si dhe veprimtaritë që ushtrohen në to;
20.Bashkëpunon me strukturat përgjegjëse në rast kundërshtimi të masave gjatë kontrollit për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis.
21.Siguron zbatimin e akteve që përcaktojnë kryerjen e veprimtarive që trajtohen si veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, në vende publike të përcaktuara paraprakisht nga organet e vetëqeverisjes vendore;
22.Verifikon respektimin e normave ligjore në lidhje me vendosjen e materialeve reklamuese të pijeve alkoolike, pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar drejtuar të miturve;
23.Mbështet strukturat përgjegjëse të taksave dhe tarifave vendore në veprimtarinë e tyre.
24.Policia Bashkiake siguron respektimin e normave ligjore në lidhje me ndalimin e pirjes së duhanit në mjetet e transportit publik, përfshirë taksitë dhe mjediset e përbashkëta, në banesat me bashkëpronësi të detyrueshme.
25.Siguron zbatimin e rregullave për përdorimin e hapësirës publike, për ndalimin e zënies së hapësirave publike, hedhjen e mbeturinave dhe mbrojtjen e monumenteve, ndërtesave, parqeve dhe lulishteve publike;
26.Vëren dhe konstaton ndërtimet e kundërligjshme, njofton dhe mbështet menjëherë strukturën përgjegjëse ndërtimore e urbanistike të bashkisë për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave ligjore;
27.Siguron zbatimin e rregullave dhe procedurave për organizimin dhe funksionimin e shërbimit publik të varrimit dhe për administrimin e varrezave në territorin e juridiksionit të bashkisë;
28.Garanton zbatimin e përcaktimeve ligjore mbi afishimin e materialeve propagandistike në vendet jashtë përcaktimeve të bëra, duke hequr menjëherë çdo material propagandues të subjekteve zgjedhore.