Ligji i ri për emigrantët, Rama për BBC Radio 4: Na është drejtuar gishti, ky është një turp për politikën britanike

Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste për BBC Radio 4, në Londër, ka folur për emigrantët dhe ka kritikuar politikës britanike që me retorikën e tyre dhe për arsye politike, kanë drejtuar gishtin drejt Shqipërisë duke e lidhur vetëm me varkat.

Pjesë nga intervista:

-Kryeministri Rama, mirëmëngjes!

Kryeministri Edi Rama: Mirëmëngjes

– Faleminderit shumë që erdhët të na vizitonit. Në krye të agjendës së takimit me kryeministrin tonë do të jetë çështja që lidhet me njerëzit që kalojnë Kanalin. Cili është vlerësimi juaj, a po e ul marrëveshja dypalëshe numrin e shqiptarëve që mbërrijnë këtu përmes Kanalit Anglez (La Mansh)?

Kryeministri Edi Rama: Siç e thatë edhe ju, kjo është një çështje komplekse. Sa më takon mua, jam këtu të sigurohem që të gjithë ta dëgjojnë qartë dhe fort se shqiptarët nuk lidhen vetëm me varkat. Ashtu si Britania nuk është vetëm Xhejms Bond apo Mr. Bean, edhe ne nuk jemi vetëm “Taken”. Ne jemi këtu si një komunitet i rëndësishëm, drejtojmë automjetet, ndërtojmë, gatuajmë dhe madje edhe këndojmë për ju, kështu që nuk kemi të bëjmë vetëm me barkat, kemi të bëjmë me një çështje komplekse, që lidhet sigurisht me ambicien dhe nevojat e njerëzve në anën tonë të botës që të shkojnë në vende ku e imagjinojnë të ardhmen më shumë në duart e tyre dhe më shpejt.

-Kam shumë dëshirë të flas për Shqipërinë më gjerësisht, por duke qenë se barkat do të jenë në krye të agjendës me kryeministrin dhe duke pasur parasysh interesin e publikut, dua t’ju bëj nja dy pyetje të tjera lidhur me këtë. Kemi këtë ligj, një ligj të ri, i cili i po diskutohet në Parlament, që do t’i skualifikojë ata që mbërrijnë me varka të vogla të përdorin ligjet e skllavërisë moderne për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar. A mendoni se është lëvizje e zgjuar?

Kryeministri Edi Rama:  Nuk jam këtu për të komentuar një ligj, që ka ndezur tashmë opinionin tuaj publik, debatet tuaja, por jam këtu thjesht që të përpiqem dhe të përcjell mesazhin se Shqipëria është një vend jashtëzakonisht i bukur. Kemi një turizëm në rritje dhe ka gjithnjë e më shumë britanikë që e vizitojnë e po ashtu, edhe europianë. Tashmë, kemi çelur bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian, kështu që jemi në një pozitë krejt tjetër nga ajo që ndonjëherë përshkruhet. Për fat të keq, kemi parë se neve dhe komunitetit tonë na është drejtuar gishti në këtë vend për qëllime të politikës dhe ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike, por, nga ana tjetër, jam shumë i kënaqur që, bashkë me kryeministrin tuaj, kemi përcaktuar një rrugë të qartë për të trajtuar së bashku çfarëdolloj gjëje që duhet përjashtuar nga marrëdhënia jonë dhe nga bota jonë e ligjit dhe drejtësisë, duke u siguruar, në të njëjtën kohë, që disa mollë të kalbura të mos identifikojnë as komunitetin shqiptar këtu dhe as marrëdhëniet tona. Britania e Madhe ka qenë përherë një model për ne dhe më duhet të them se pa Toni Blair-in, pa rrugën e re laburiste, nuk do të ishim kaq të suksesshëm sa kemi qenë, duke zbatuar pikërisht frymën e re laburiste në partinë tonë dhe shumicën tonë qeverisëse. Po nuk është vetëm kjo, është kultura, janë shumë gjëra të tjera dhe shumë mësime të tjera, ndaj duam të nxjerrim më të mirën nga kjo marrëdhënie.

– Kur thoni se ka pasur një episod të turpshëm në politikën britanike, e keni fjalën për gjuhën, për retorikën e përdorur për të përshkruar ata që, në fund të fundit, shpesh janë persona të dëshpëruar që mbërrijnë me barka apo e keni fjalën më gjerësisht për stereotipizimin e shqiptarëve në përgjithësi?

Kryeministri Edi Rama: Po qëndrojnë të dyja apo jo? E kam fjalën pikërisht për atë që është thënë nga anëtarë të kabinetit, duke nisur që nga Sekretarja e Brendshme dhe e kam fjalën pikërisht për atë çka është zhvilluar si veçim i një komuniteti të tërë, që është diçka që nuk bëhet në qytetërimin tonë dhe është diçka që nuk e përfaqëson aspak Britaninë, ndaj kjo ka qenë një pikë shumë e ulët në marrëdhëniet tona, por, siç e thashë, ka vullnet për ta tejkaluar këtë. Është e vërtetë që me forcimin e bashkëpunimit tonë ka disa rezultate të qarta që, me të drejtë, kryeministri dhe qeveria këtu po i theksojnë, por, nga ana tjetër, ne refuzojmë dhe do të refuzojmë gjithnjë këtë përzierjen e disa kriminelëve me shqiptarët si të tillë, pasi t’i vësh krimit një vulë etnike është në vetvete një krim.


Shtuar 23.03.2023 14:46