“Libri i Zi” i zgjedhjeve/ Bylykbashi: Zgjedhjet “ranë” viktimë e qeverisjes, është dh*nuar funksionimi i shtetit të së drejtës

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi në një intervistë ekskluzive për OraNews ka folur lidhur me Reformën “e ngrirë” Zgjedhore.

Bylykbashi ka treguar lidhur me atë që opozita e quan “Libri i Zi i zgjedhjeve”, një dokument që sipas tij pasqyron shkelje të rënda të procesit zgjedhor dhe funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Gjatë intervistës, ai tha se materiali i përgatitur nga opozita përmbledh fakte dhe prova të dokumentuara, të cilat sipas tij konfirmohen edhe në raportet e ODIHR-it, duke përfshirë manipulimin e zgjedhjeve, frikësimin e votuesve dhe përfshirjen e krimit të organizuar në procesin elektoral.

“Ditët e fundit të dhjetorit paraqitëm dhe atë që e kemi quajtur rëndom “Libri i Zi i zgjedhjeve”. Për farsën zgjedhore, por me të drejtë kryetari i PD e quajti “enciklopedia e krimit shtetëror”.

Jo vetëm krimit zgjedhor. Aty gjen të gjitha gjërat që ne kemi thënë më përpara. të vërtetuara, ke prova aty që janë në raportin e ODIHR-it. Në mënyrë më të përmbledhur por që janë të gjitha aty . Por nga ana tjetër janë të gjitha ato dhunime të çdo aspekti të funksionimit të shtetit të së drejtës, të cilat kanë bërë një nga viktimat më ilustre më kryesore, zgjedhjet.

Por që në fakt janë përditshmëria e qeverisjes.

Qeverisje nëpërmjet korrupsionit dhe krimit të organizuar, në një kombinim të ndërthurrur me njëri-tjetrin.

Pra në Shqipëri, Edi Rama e ka çuar në një gradë tjetër, në një nivel tjetër. Nuk është vetëm ndarja midis shtetit dhe partisë në pushtet që të garantohet ndershmëria e zgjedhjeve.

Fusha e barabartë e lojës. ODIHR flet edhe për frikësimin e zgjedhësve. Pra ne kemi krim të organizuar, i cili është organizuar në mënyrë metodike se si duhet përfshirë në zgjedhje.

Është prishur jo vetëm ndarja e partisë dhe shtetit por dhe partisë, shtetit dhe krimit të organizuar.

I kemi të gjithë bashkë.

Në një organizim maskimal për të garantuar që njerëzit ose tu blihet vota ose të lihen në shtëpi për të mos votuar. Pra, ata që janë eventualisht votuesit e opozitës.

Këtij mekanizmi nuk i reziston dot ligji, sado ligj i mirë mund të jetë. Aq më shumë kur kryeministri shprehet që ligji është “kinezeri”, Kodi Zgjedhor është “kinezeri”.

Nuk na pengon ne.” – tha Bylykbashi.


Shtuar 3.01.2026 21:19