Liberalizimi i vizave për Kosovën, Berisha: Turpi mbuloftë armikun e lëvizjes së lirë

Në këtë ditë të parë të vitit, ish-kryeministri Sali Berisha, nga arresti shtëpiak, u është bashkuar reagimeve për liberalizimin e vizave për Kosovën, e cila do të udhëtojë pa viza në zonën Shengen.

Përmes një reagimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Berisha thekson se kjo është një arritje për t’u përshëndetur.

Ndërkohë, ai thotë se kjo është një goditje e merituar, për atë që e cilëson si argatin e Vuçiçit.

Reagimi i berishës:
“Një arritje për t’u përshëndetur

Të dashur miq, Iiberalizimi i vizave sot me 1 janar është një arritje e madhe plotësisht e merituar për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj. Prej vitesh Kosova ka plotësuar çdo kriter për këtë vendim realisht historik.

Por kjo është një goditje e rëndë dhe e merituar për argatin, puthadorin e Vuçiçit, që me urdhër të këtij të fundit do të bëhej i vetmi qeveritar në rajon dhe Europë që pafytyrësisht si armik i egër i qytetarëve të Kosovës dhe lirive të tyre kërcënonte e lobonte për anulimin e këtij vendimi dëshprimisht edhe pasi ky vendim ishte votuar në Parlamentin Europian.

 

Një urim të përzemërt për qytetarët e Kosovës për kartolinën më të bukur për vitin 2024 që morën sot nga BE.

Turpi mbuloftë armikun e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës, argatin e Beogradit, shqipfolsin albanofob Edivin Kristaq Rama. Rroftë Kosova! #sb”, shkruan Berisha.


Shtuar 1.01.2024 17:23