Policia e Vlorës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale dhe ka vënë në pranga një 28-vjeçar.
Policia gjeti në makinën e këtij të fundit një armë zjarri tip kallashnikov. Gjithashtu filloi procedimi për dy pasagjerët që ndodheshin në makinë me 28-vjeçarin.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Aleksandria” u vu në pranga shtetasi Donald Petani (Alimuçaj), 28 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov.
Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar nga i arrestuari.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. F., 17 vjeç dhe A. H., 17 vjeç, të dy banues në Vlorë, pasagjerët që udhëtonin së bashku me 28-vjeçarin, në automjetin e tij, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale./ALbeu.com./